Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve znj. Lefterije Luzi (Lleshi) ditën e sotme ka marrë pjesë në seminarin “Krijimi i Burimeve për Demokraci, Qeverisje dhe Zgjedhje, (BRIDGE)”, i organizuar nga UNDP.

Të pranishëm në këtë seminar ishin Znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Koordinatore e Agjensive të Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përhershme e programit të Zhvillimitë Kombeve të Bashkuara (UNDP), z. Alaudin Malaj, Kryetar i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, znj. Yesim Oruc, Drejtore e Zyrës së UNDP në Shqipëri dhe përfaqësues të partive politike dhe organizatave ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve.
Fokusi i këtij seminari janë mosmarrëveshjet zgjedhore dhe synon të ndihmojë Kolegjin Zgjedhor, KQZ dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm në fushën e zgjedhjeve për zgjidhjen e debateve zgjedhore, menaxhimin dhe zgjidhjen e ankesave zgjedhore, sfidat lidhur me procedurat votimit e të tjerë.
Në fjalën e saj Kryetarja e KQZ-së, vuri theksin tek gjykimi i ankimeve zgjedhore dhe se zgjidhja e mosmarrëveshjeve është mekanizmi thelbësor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Ajo shtoi se praktika ka treguar se problemet lindin pas procesit të zgjedhjeve. KQZ ka dhe do të ketë rol të veçantë për zgjidhjen e tyre, por nuk mjafton po nuk pati mbështetjen e forcave politike, mediave dhe shoqërisë civile”.
“Legjitimiteti i zgjedhjeve ndërvaret në një masë të madhe dhe nga mënyra se si zgjidhen mosmarrëveshjet zgjedhore dhe ankimore. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve zgjedhore bazuar në kuadrin ligjor zgjedhor,është mekanizëm thelbësor për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të ankesave dhe apelimeve zgjedhore përgjatë procesit, i cili fillon me regjistrimin e votuesve, vazhdon me regjistrimin e partive politike, koalicioneve zgjedhore, kandidatëve të pavarur, fushatën zgjedhore, ditën e zgjedhjeve, tabulimin përfundimtar të rezultatit të votimeve dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”.
Znj. Luzi (Lleshi) tha se: “ Unë dhe kolegët e mi kemi bindjen se sfidat në punën tonë nuk duhet të konsiderohen si një dobësi e sistemit elektoral, por një shenjë e elasticitetit të tij, dhë se kur bëhen përgatitjet e duhura, kur ka standard të qarta para zgjedhjeve, arrihet transparenca dhe standardet, për të cilat ashtu si deri tani po punojmë me përkushtim”. “Unë dhe kolegët e mi jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e punës tonë, të përgjegjshëm për ta përmbushur atë në përputhje me përcaktimet legjislative, të vendosur për të qenë arbitër të paanshëm ashtu siç jëmi betuar përpara Kuvendit, që vendimet tona të ndikohen vetëm nga fryma e ligjit dhe standardet e përcaktuara prej tij, do të bëja apel për të gjithë aktorët e fushës, për të kontribuar pozitivish në proesin zgjedhor, veçanërisht forcat politike për të demostruar aktivisht vullnetin për të cilin shprehen se e kanë, duke qenë të bindur në aksiomën se: “Suksesi i procesit zgjedhor është rezultat i kontributit të përbashkët pozitiv të të gjithëve”, përfundoi fjalën e saj, Kryetarja e KQZ-së.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE