Tiranë, më 29.10.2012

Kryetarja dhe Nënkryetari i KQZ-së takojnë Ambasadorin e OSBE-së, Z. Wollfart

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Znj. Lefterije Lleshi (Luzi) dhe zv/kryetari Z.Denar Biba zhvilluan sot një takim me Kryetarin e Prezencës së OSBE në Shqipëri Z. Eugen Wolfarth. Ky takim u zhvillua në ambientet e KQZ-së dhe kishte si qëllim njohjen me kryetaren dhe n/kryetarin e KQZ-së te cilet sapo janë zgjedhur në detyrën e tyre të re.

Kryetarja e KQZ-së shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Prezencës së OSBE-së për zhvillimin e proceseve zgjedhore dhe demokratike në Shqipëri.Ambasadori Wolfarth gjatë bisedës u shpreh se mënyra se si është konceptuar puna mes anëtarëve të rinj është një sinjal i mirë, pasi puna e KQZ-së është punë teknike e ngritur mbi aplikimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor dhe kjo është një gjë që duhet kujtuar gjithë kohën. Z. Ambasador siguroi se tradita e gjatë e bashkëpunimit KQZ – OSBE do të vazhdojë padyshim dhe në të ardhmen. Po kështu, do të vazhdojë të integrohet në këtë bashkëpunim dhe zyra e ODIHR. Tashmë ODIHR e ka marrë ftesën për të ngritur një mision vëzhgimi për zgjedhjet e ardhëshme për Kuvend dhe pse data e zgjedhjeve ende mbetet për tu përcaktuar. Ndërkohë OSBE po shikon mundesinë për të ndihmuar KQZ-në në terren për të patur kështu zgjedhje të suksesshme.Në përfundim të takimit, edhe në emër të KQZ-së, Znj. Lleshi dhe Z. Biba, garantuan SH.T.Z. Eugen Wolfarth për vullnetin dhe angazhimin maksimal në përmbushje të detyrës të besuar nga Kuvendi, për përgatitjen , administrimin dhe mbikqyrjen e procesit zgjedhor të 2013, me qëllim çertifikimin e tyre në sipas standarteve të pranuara ndërkombëtarisht.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE