Tiranë, më 28.03.2013

Fjala e Kryetares së KQZ-së, Lefterije Luzi (Lleshi), në koneferencën “Mështetja e Shetetve të Bashkuara për Zgjedhjet Parlamentare 2013 në Shqipëri”
Kjo është fjala e Kryetares së KQZ-së, Lefterije Luzi (Lleshi), në koneferencën “Mështetja e Shetetve të Bashkuarapër Zgjedhjet Parlamentare 2013 në Shqipëri”, e organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

I nderuar Zoti Ambasador Arvizu,

Të nderuar Pjesëmarrës,

Zgjedhjet në Shqipëri janë një proces që mund të ndajnë qëndrimet e çdo njërit prej nesh, por besoj se në një pikë bashkohemi të gjithë – në rëndësinë që ky proces të prodhojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente. Ndoshta mund te duket e tepërt nëse ritheksoj se ky është një detyrim që buron nga ligji dhe kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare që certifikojnë procesin zgjedhor në Shqipëri, por nuk besoj se është e tepërt të nënvizoj se, për më tepër, është edhe një detyrim e përgjegjësi publike dhe qytetare e secilit prej nesh që ka marrë përsipër këtë mision.

Jo pa qëllim e nisa fjalën time me këtë këndvështrim, pasi vëmendja dhe interesi sa vjen e më tepër po fokusohet në performancën e KQZ-së si trupë vendimmarrëse dhe si institucioni që ka përgjegjësinë për administrimin e zgjedhjeve. Ekziston një debat jo shumë i hapur (po nuk mund të marr përsipër se sa profesional është) për mënyrën se si Trupa e KQZ-së merr vendimet e saj dhe nëse diskutimet, arsyetimet apo në disa raste edhe polemikat në momente të nxehta që prekin interesat e subjekteve politike, cenojnë apo jo profesionalizmin dhe pavarësinë e këtij institucioni. Ajo që personalisht më shqetëson në këtë panoramë, është se në shumicën e rasteve ky debat iniciohet nga vet përfaqësuesit e subjekteve politike, të cilët e shohin KQZ-në korrekte, profesionale, transparente dhe të pavarur, vetëm në momentet kur vendimmarrja e KQZ-së përputhet me interesat e tyre! Në asnjë moment, në këto pak muaj pune si Kryetare e KQZ-së, nuk kam vënë re që subjektet politike të gjejnë kurajë për të mos ushtruar presion politik në tavolinën vendimmarrëse të KQZ-së, dhe aq më pak të vlerësojnë votën individuale dhe ndonjëherë edhe vendimmarrjen kolegjiale të saj!

Kodi Zgjedhor i Shqipërisë në thelb, është ndërtuar mbi parimin e vullnetit të bashkëpunimit të partive politike që garojnë në proces (pasi i gjithë procesi në nivel lokal administrohet nga komisionerët e partive politike) – dhe duhet të jenë partitë politike në radhë të parë që duhet ta lexojnë këtë përgjegjësi me realizëm dhe jo të investohen vetëm në presionin ndaj KQZ-së. E kuptoj që këto mund të duken tone pak të ashpra, por ka ardhur momenti që të jemi koishent që përgjegjësia për zgjedhje të lira e të ndershme është e përbashkët!

Për sa i përket institucionit që drejtoj, mendoj se profesionalizmi i trupës së KQZ-së është dhe besoj se do të jetë një vlerë e shtuar e këtij procesi zgjedhor, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që mund të mbajmë për shumë çështje. Është pikërisht fryma e debatit konstruktiv dhe në funksion të ngritjes së një infrastrukture zgjedhore me rregulla të qarta e të mirë përcaktuara, të cilat do reflektohen në aktivitetin e KQZ-së gjatë periudhës së ngritjes dhe funksionimit të të gjithë administratës zgjedhore dhe elementëve monitorues që parashikon Kodi Zgjedhor.

Është shumë e rëndësishme që të nënvizoj se në aspektin vendimmarrës, KQZ vlerëson në maksimum përmbajtjen, qëndrueshmërinë dhe efektet që sjell ky proces. Është kjo arsyeja, që në peshoren e të ashtuquajturave standarde qe lidhen me afatet kohore që në shumicën e rasteve i ka vendosur si orientim vet KQZ, ne kemi preferuar që të mos cenohet cilësia e punës tonë për efekt të plotësimit të afatit kohor, pasi në këtë rast nuk besojmë se forma duhet të prevalojë mbi përmbajtjen, për aq kohë sa nuk cenon procesin zgjedhor.

Në këtë frymë po implementohen edhe 2 projektet pilot të aplikimit të teknologjisë, të cilat janë një ndër sfidat kryesore të zgjedhjeve të 23 qershorit. Pavarësisht vonesave, të cilat e kanë fillesën para formimit të trupës së re të KQZ-së, ne po bëjmë maksimumin që të mos cenohen termat kohorë të testimit dhe implementimit me sukses të tyre. Ajo që ne realisht kemi nevojë në implementimin e këtyre 2 projekteve është besimi i qytetarëve në aplikimin e teknologjisë së informacionit, pasi është një formë e re, e cila rrit cilësinë e procesit dhe do jetë një garanci më shumë edhe në të ardhmen. Edhe fushata e edukimit të zgjedhësve në zonat ku do të implementohen këto projekte, do të fokusohet pikërisht në sensibilizimin e qytetarëve për mënyrën se si duhet të kontribuojnë për të aplikuar me sukses këto projekte, pra duke respektuar rregullat e votimit.

Pavarësisht risive dhe detyrimeve që ka sjellë Kodi Zgjedhor për zgjedhjet e 23 qershorit, KQZ nuk ka nënvlerësuar asnjë element të detyrimeve të saj për të garantuar të drejtën e ushtrimit të votës nga të gjithë qytetarët e vendit, dhe veçanërisht për kategorinë e zgjedhësve që nuk mund të votojnë vet, kryesisht zgjedhës që janë persona të verbër, ose para/tetraplegjikë. Kemi ndërmarrë për herë të parë një angazhim institucional për garantimin e kushteve për të votuar lirisht çdo qytetar i cili është regjistruar si zgjedhës që nuk mund të votojë vet. Përveç parashikimit të një zëri të veçantë në buxhetin për zgjedhjet, i cili realisht është shumë më i konsiderueshëm se në zgjedhjet pararendëse, për herë të parë KQZ po merr të dhëna nga njësitë e qeverisjes vendore dhe po krijon bazën e të dhënave me numrin e këtyre zgjedhësve për çdo qendër votimi dhe llojin e paaftësisë së tyre. Deri në këtë moment që po flasim kemi marrë informacion nga 285 bashki dhe komuna, nga të cilat rezulton se janë regjistruar 8370 zgjedhës të verbër dhe 4289 zgjedhës para/tetraplegjikë. Vetëm kategoria e zgjedhësve para/tetraplegjikë janë të regjistruar në 2019 QV në të gjithë vendin – një numër ky shumë i konsiderueshëm. Nisur nga këto të dhëna, si dhe nga bashkëpunimi shumë i mirë me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të shoqatave të personave me aftësi të kufizuar, KQZ po përgatit një infrastrukturë ndihmëse funksionale dhe program të përfshirjes/sensibilizimin e të gjithë administratës zgjedhore lokale, e cila do të mundësojë realisht mundësimin e ushtrimit të së drejtës së votës nga këta zgjedhës.

Çështjet dhe problematika zgjedhore janë shumë të gjëra, por nuk besoj se këtij paneli i intereson detajimi i tyre më shumë se perceptimi dhe këndvështrimi mbi administrimin e procesit në tërësi.Ajo që besoj se shpreh edhe në emër të kolegëve është vlerësimi për angazhimin dhe mbështetjen që partnerët dhe donatorët po i japin KQZ-së, sidomos në projektet teknike. Pavarësisht se KQZ ka një administratë të qëndrueshme dhe me eksperiencë, aftësimi i vazhdueshëm dhe përfshirja e projekteve të teknologjisë së informacionit në standardet e sotme dhe në një fushë specifike siç janë zgjedhjet, sigurisht që kërkon mbështetje teknike të avancuar.

Me këtë rast, dhe në përfundim, por absolutisht jo e fundit për nga rëndësia, dëshiroj që sinqerisht të falenderoj në emër të KQZ-së mbështetjen që Shtetet e bashkuara, me anë të USAID po japin për realizimin e një procesi zgjedhor transparent, i cili do të rrisë standardet e KQZ-së në aplikimin e teknologjisë së informacionit, por mbi të gjitha, do ti ofrojë publikut një informacion të saktë dhe në kohë reale.
Ju faleminderit!

Lefteri LUZI (LLESHI)

KRYETARE

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE