KQZ: Funksionet për administrimin zgjedhor, nuk konsiderohen angazhim në veprimtari politike.
Për administrimin e procesit zgjedhor të datës 25.06.2017, në të tre nivelet e administratës zgjedhore të përkohshme, KZAZ, KQV, GNV, do të angazhohen rreth 40.000 shtetas, si komisionerë apo numërues. Pavarësisht se administrata zgjedhore propozohet nga partitë poltike, emërimi i tyre në detyrën e komisionerit apo numëruesit, ngarkon çdo njërin prej tyre me përgjegjësi ligjore për të administruar procesin zgjedhor, sipas rregullave të Kodit Zgjedhor, në mënyrë të paanshme dhe transparente.
Duke marrë shkas nga disa shqetësime të shprehura nga komisionerët, trajnuesit dhe inspektorët rajonalë zgjedhor, pas ndryshimeve të fundit ligjore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, KQZ qartëson opinionin publik, veçanërisht administratën zgjedhore, se çdo lloj funksioni për administrimin zgjedhor nuk konsiderohet veprimtari për qëllime partiake.
Ndalimi i vënies në përdorim të subjekteve zgjedhore, i adminsitratës publike të çdo niveli, është një nga parimet kryesore të Kodit Zgjedhor që nga momenti i krijimit të tij. Me gjithë ndryshimet e bëra ndër vite të Kodit Zgjedhor, ky parim është ruajtur dhe anagzhimet si komisionerë të burimeve njerëzore që vinin dhe vijnë nga administrata publike, nuk janë konsideruar si angazhim në veprimtari fushate dhe politike, as nga faktorët vendas e të huaj dhe as nuk është cituar në raportet e OSBE/ODIHR.
KQZ e rithekson se angazhimi i komisionerëve si anëtarë të KZAZ, KQV, GNV, nuk bie ndesh as me asnjë nga aktet e fundit ligjore dhe nënligjore.
40 mijë komisionerët zgjedhorë që angazhohen për zgjedhjet për Kuvend, të datës 25 Qershor, kanë përgjegjësinë për kryer detyrën sipas Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së, të cilat garantojnë ushtrimin e detyrës në mënyrë të paanshme dhe të pa ndikuar. Gjithashtu, kanë edhe përgjegjësinë morale ndaj shoqërisë shqiptare, ndaj 3.452.260 votuesve, për të administruar dhe lexuar me korrektësi çdo vullnet të tyre, të shprehur me votë.
Faleminderit!