Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

Në zbatim të nenit 91 të Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të auditojë partitë politike për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.

Gjithashtu, ligji “Për partitë politike” i ndryshuar  me ligjin nr. 90/2017,  e ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikqyrjen e financimit të partive, gjatë fushatës zgjedhore.

Bazuar në rëndësinë e veçantë të transaprencës së fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, i bëjmë apel ekspertëve kontabël të licensuar dhe ekspertëve financiarë, që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së brenda datës 6 Maj, për përmbushjen e këtij detyrimi ligjor.

 Pas shfaqjes së interesit nga ekspertët kontabël të licensuar dhe ekspertët financiarë, KQZ në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për Partitë politike, i ndryshuar, do të emërojë me short, një numër të mjaftueshëm ekspertësh financiar për të monitoruar fushatën zgjedhore dhe ekspertësh kontabel të licensuar, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara për zgjedhjet e 2019.

Ekspertët kontabël të regjistruar pranë Instituti i Eksperteve Kontabel të Autorizuar (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet, të plotësojnë edhe kriteret e përcaktuara në Udhëzimet e KQZ-së, të cilat mund të gjenden në faqen zyrtare të internetit.

Ndër të tjera, ekspertët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë KQZ-së:

  • Kërkesë aplikimi;
  • Deklaratë e nënshkruar nga kandidati lidhur me kriteret e përzgjedhjes të sipërcituara.

Të gjithë ekspertët kontabël licensuar dhe ekspertët financiarë të cilët plotësojnë kriteret, janë të lutur të aplikojnë pranë KQZ-së brenda datës 6 Maj dhe të kontribuojnë në realizimin e kësaj detyre të përbashkët që na ngarkon ligji.

Faleminderit!