Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi projektvendimet:
– Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit, kandidatit të listës shumemërore të Partisë Lëvizja Socialistë për Integrim, në Qarkun e Lezhës,për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, për shkak të mbarimit mandatit të deputetit të z.Armando Prenga.
KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kandidatit të radhës në listën shumemërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Qarku Lezhë, z. Petrit Preng Gjoni.
– Për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Bashkisë Kavajë, që do të zhvillohen në datë 07.05.2017.
1. Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë/sekretar në KZAZ nr. 42, duhet të sjellin propozimet jo më vonë se data 2 prill 2017.
2. Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ nr.42 jo më vonë së data 17 prill 2017. KZAZ-ja, merr vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve, brenda 5 ditëve.
3. Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në Grupin e Numërimit të Votave, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ nr.42, jo më vonë së data 27 prill 2017. KZAZ-ja, merr vendim për emërimin e anëtarëve të Grupit të Numërimit të Votave-ve, brenda 48 orëve.
4. Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim si subjekte zgjedhorë për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kavajë, jo më vonë se data 4 prill 2017.
5. Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin kërkesën për regjistrimin si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kavajë, jo më vonë se data 8 prill 2017.
6. Për paraqitjen e kandidatit të propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin Bashkisë Kavajë, Komiteti Nismëtar duhet të rregjistrohet në KZAZ-në nr.42, jo më vonë se data 08 prill 2017.
7. Dokumentat e kandidimit paraqiten në KZAZ-në nr.42, jo më vonë se data 12 prill 2017. KZAZ-në nr.42, bën verifikimin e tyre jo më vonë se 24 orë nga paraqitja dhe në rast se vëren parregullsi i kthen për plotësim. Dokumentat e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 orë. KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 orë nga riparaqitja e tyre.
8. Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë, duhet të bëhet jo më vonë se data 22 prill 2017. Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të huaj duhet të bëhet jo më vonë se 72 orë para datës 07 maj 2017.
Prefekti i Qarkut Tiranë, i paraqet KQZ-së listën e plotë të objekteve brenda territorit të Qarkut që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendin e Numërimit të Votave, jo më vonë se data 6 prill 2017. KQZ, cakton vendin e numërimit të votave jo më vonë se data 10 prill 2017.