Komisioni Rregullator miraton ngritjen e 92 ZAZ-ve.
Sot, Komisioni Rregullator shqyrtoi projektvendimin “Për ngritjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 Prill 2021”.
Zonat e Administrimit Zgjedhor miratohen nga KQZ-ja jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, mbi bazën e numrit të shtetasve me të drejtë vote në datën e fundit të periudhës zgjedhore për caktimin e zgjedhjeve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Referuar informacionit të ardhur nga DPGJC për numrin e shtetasve me të drejtë vote dhe kritereve për ngritjen e ZAZ-ve, lindi nevoja për ndryshimin e Zonave të Administrimit Zgjedhor, pasi numri i shtetasve me të drejtë vote në ZAZ nr. 58 të Bashkisë Fier si dhe në ZAZ nr. 64 të Bashkisë Berat, e kalon kufirin e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor.
Komisioni Rregullator në unanimitet miratoi ngritjen e 92 (nëntëdhjetë e dy) Zonave të Administrimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 prill 2021.
Numërtimi i ZAZ do të bëhet me anë të një numri dy shifror duke filluar me 01, duke siguruar përputhshmëri të numërtimit unik kombëtar të zonave të qendrave të votimit me numërtimin e ZAZ-ve, ku ZAZ-ja nr. 01 duhet të përmbajë zonat me numërtim fillestar të qendrave të votimit, e në vijim.
Për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021, 50 bashki që kanë më pak se 80 mijë shtetas me të drejtë vote përbëhen nga një (1) ZAZ, ndërsa 11 bashki që kanë më shumë se 80 mijës shtetas me të drejtë vote përbëhen nga më shumë se një (1) ZAZ.