Sot, Komisioni Rregullator shqyrtoi projektvendimin “Projektrregullore për mënyrën e funksionimit dhe zhvillimit të seancave të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.”
Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i rregullave të detajuara mbi organizimin dhe funksionimin e seancave të Komisionit te Ankimimeve dhe Sanksioneve si edhe rregullat mbi koordinimin e veprimtarisë administrative me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Administratën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Rregullorja përmban dispozita që kanë të bëjnë me të drejtat e ankimit, formën dhe përmbajtjen e ankimit, procedurat e regjistrimit të ankimimeve dhe shortin, rregulla për procedurat e shqyrtimit të ankesave, dhe kërkesave të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, rregulla të detajuara për të gjithë ciklin e ankimit, duke filluar me regjistrimin e ankimimeve në një regjistër të posaçëm, caktimin e seancës së përgatitjes së shortit, zhvillimin e shortit për përcaktimin e relatorit të çështjeve, dhe zhvillimin e tij, si dhe dispozita që rregullojnë veprimtarinë vendimmarrëse të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Pas shqyrtimit në parim dhe nen për nen, Komisioni Rregullator vendosi unanimisht miratimin e rregullores.