Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka caktuar datën 30 qershor 2019 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, duke startuar zyrtarisht fillimin e përgatitjeve për këto zgjedhje.
Zgjedhjet e vitit 2019 do të jenë sfidë e rëndësishme për të gjithë, për institucionet, partitë politike dhe për shoqërinë shqiptare. Ato do të jenë jo vetëm mundësi e mirëpritur për të shprehur vullnetin politik, por do të shënojnë edhe një provë të rendësishme maturie për sistemin tonë demokratik.
Ndaj KQZ-ja është e angazhuar maksimalisht për të përmbushur rolin dhe detyrat që i burojnë nga ligji.
KQZ ka nisur punën intensive për përgatitjen e të gjithë akteve ligjore dhe nënligjore, si dhe të infrastrukturës zgjedhore, në funksion të mirëorganizimit të procesit zgjedhor.
Vetëm një ditë më parë, KQZ miratoi Planin e Orientues të Veprimeve të Komisionit, i cili parashikon të gjithë aktet që duhet të miratohen, afatet ligjore dhe veprimet që duhen ndërmarrë në zbatim të Kodit Zgjedhor.
Por sfida përballohet me sukses, kur të gjithë bëhemi të vetëdijshëm se zgjedhjet nuk janë çështje vetëm e institucioneve dhe nuk varen vetëm nga fati i reformës zgjedhore.
Sfida e zgjedhjeve do të përballohet me sukses, kur partitë politike pjesmarrëse në to, veçanërisht partitë që ligji i ngarkon me përgjegjësi administrimi do të kuptojnë dhe pranojnë se detyrimet e tyre ligjore në raport me administrimin nuk janë opsione, nuk formojnë privilegj dhe as avantazh. Partneriteti me KQZ-në dhe bashkëpunimi vullnetmirë në administrimin e procesit është detyrim thelbësor si për KQZ-në, ashtu dhe për partitë që marrin pjesë në administrimin e procesit, është parakusht i suksesit.
Për këtë arsye kam dalë sot të kërkoj publikisht vemendjen e partive politike në respektimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe ligjeve të tjera në fuqi, në përmbushje të rolit të tyre të rëndësishëm në mbarëvajtjen dhe mirëadministrimin e procesit zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur module të ndryshme trajnimi për të gjithë nivelet e aktorëve të përfshirë në administrimin zgjedhor, të cilat do të jenë lehtësisht të aksesueshme edhe në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së.
Këto module trainimi kanë vlerë jo vetëm për komisionerët dhe numëruesit e ardhshëm të zgjedhjeve. Ato u vlejnë stafeve të partive politike, organizatave vëzhguese të zgjedhjeve, grupeve vulnerabël etj. Kalendari ynë i trajnimeve dhe edukimit zgjedhor, do synojë të përfshijë dhe bëjë të interesuar për administrimin zgjedhor shtresat e shoqërisë, elitat studentore apo grupet e angazhuara të interesit.
Kjo është rruga më e mirë që zgjedhjet të mos shihen si çështje e institucioneve, por si çështje themelore e qytetarëve aktivë, kërkues e të përgjegjshëm për rolin dhe forcën që kanë në demokraci.
Me këtë rast dua t’i bëj thirrje publikisht shtresave aktive dhe të interesuara të shoqërisë civile, të ndjekin kurset tona të trainimit për administratorë zgjedhorë, të ushtrohen si ligjzbatues të vendosur dhe parimorë, që nesër të jenë jo vetëm zotër të votës së tyre, por edhe mbrojtësit më të mirë të saj.
Me dekretin e Presidentit lidhet edhe një detyrim i rëndësishëm i partive politike, detyrim i cili në të shkuarën shpesh është anashkaluar ose dhe neglizhuar, detyrimi për të bërë transparencën e plotë të financimit.
Raportet financiare depozitohen pas zgjedhjeve, por dokumentimi i finacimit bëhet sot.
Sot mbahen llogaritë.
Sot plotësohen detyrimet ndaj ligjit.
Nëse partitë këtë detyrim e lëne për pas zgjedhjeve, atëherë standardi zgjedhor nuk do arrihet dot, nuk do ketë transparencë, do të ketë financim ilegal dhe, pse jo, përdorim të parave për qëllime të kundraligjshme. Ndaj unë dua t’i kujtoj sot publikisht për këtë detyrim të tyre.
Faleminderit!