Tiranë, më 26.04.2013

KQZ nis trajnimin e 52 trajnerëve të KZAZ-ve dhe 24 inspektorëve rajonal
Drejtoria e Komisioneve Zgjedhore ka nisur trajnimin e 52 trajnuesve të KZAZ-ve dhe 24 inspektorëve të zyrave rajonale,të cilët do të trajnojnë komisionerët e nivelit të dytë dhe të tretë në të gjithë vendin.

Në ditën e parë të këtij trajnimi të rëndësishëm për proçesin zgjedhor ishte e pranishme, Kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi (Lleshi), Eksperti për Reformën Zgjedhore në Shqipëri pranë OSBE-së, z. Florian Hobdari dhe Eksperti i Komisionit të Venecias, z. Konrad OlszewskiNë fjalën e saj Kryetarja e KQZ-së vlerësoi rolin e trajnuesve të KZAZ-ve dhe u kërkoi atyre që të jenë të paanshëm dhe të tregojnë profesionalizëm në përmbushjen e detyrave të tyre në përputhje me Kodin Zgjedhor. Ajo shtoi më tej se; “Komisionerët e çdo niveli, ashtu si votuesit, kandidatët dhe partitë politike duhet të respektojnë standardet më të larta të etikës, duke respektuar rigorozisht procedurat ligjore dhe Kodin Zgjedhor”.
Rëndësinë e rolit të trajnuesve të KZAZ-ve dhe komisionerëve të çdo niveli, e ka vlerësuar edhe Eksperti për Reformën Zgjedhore në Shqipëri pranë OSBE-së, z. Florian Hobdari.
Ndërsa nga ana e tij eksperti i Komisionit të Venecias, Konrad Olszewski tha se është i kënaqur që ka dhënë kontribut në hartimin e manualit të trajnimit dhe kodit të etikës që duhet të zbatojnë komisionerët e të gjitha niveleve. Zoti Olszewski u shpreh se zgjedhjet nuk janë për partitë politike por për zgjedhësit, ndaj komisionerët e çdo niveli duhet të përmbushin detyrat e tyre me profesionalizëm dhe në standardet e kërkuara. Trajnimi do të zhvillohet ditën e premte e të shtunë (dt. 26-27.04.2013) për grupin e parë të trajnerëve dhe ditën e hënë dhe të martë (29-30.04.2013) për grupin e dytë. Trajnimi synon aftësimin dhe rritjen e profesionalizimit të trajnerëve dhe inspektorëve rajonal në administrimin e procesit zgjedhor. Manuali i KZAZ-së, mbi të cilin është bazuar trajnimi, është përgatitur nga Sektori i Trajnimit të KQZ-së në bashkëpunim me ekspertë të Këshillit të Europës dhe mbështetjen financiare të OSBE-së.
Në këtë trajnim sillen për trajnerët shembuj konkret të problematikave të mundshme që mund të krijohen gjatë proçesit të zgjedhjeve dhe mënyrën sesi Kodi Zgjedhor u jep këtyre problematikave zgjidhje.
Bashkëngjitur do të gjeni fjalimin e Kryetares së KQZ-së, znj. Lefterije Luzi(Lleshi) në këtë aktivitet.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE