Fjala e Kryetarit të KQZ-së, z. Klement Zguri në konferencën “Keqpërdorimi i burimeve administrative gjatë proceseve zgjedhore: Sfidë madhore për zgjedhje demokratike”, Tiranë më 10-11 prill 2018.

Rastet e zakonshme të keqpërdorimit të burimeve administrative gjatë proceseve zgjedhore: Aspektet praktike

 

Faleminderit shumë zoti Orajli.

Unë besoj se ndërhyrja ime në këtë seminar duhet t’i kushtohet qasjes së KQZ-së së Shqipërisë ndaj tematikës dhe jam i gatshëm ta trajtoj me kënaqësi këtë qasje, por më duhet të filloj, duke cituar pasazhe nga dokumentat e këtij seminari:

–    Problemi i keqpërdorimit të burimeve shtetërore nuk është fenomen i përhapur vetem në vendet si Shqipëria me demokraci relativisht të reja por është i përhapur edhe në shumë vende evropiane, të cilat kanë një traditë të gjatë të zgjedhjeve demokratike.

–    Ky fenomen duket si pjesë e një kulture politike të konsoliduar, të ngritur jo vetëm mbi kultivimin e praktikave potencialisht të paligjshme, por edhe mbi mungesën e standardeve etike në zgjedhje dhe në ushtrimin e autoritetit publik.

Kërkova t’i evidentoj këto dy pasazhe, sepse konstatimet e tyre më duket se qendrojnë në themel të problemeve që ne kemi me keqpërdorimin e burimeve administrative, apo, më gjerë, me keqpërdorimin e burimeve publike.

Keqpërdorimi i burimeve administrative është rezultat i drejtpërdrejtë i kulturës së sëmurë politike, jo rezultat i boshllëkut ligjor, as i injorancës juridike.

Kultura e sëmurë politike mbijeton dhe konsolidohet, me justifikimin se kështu sillen dhe demokracitë e zhvilluara ose/dhe me jusitifikimin se standardet etike nuk vendosen në një ditë, duhet shumë kohë e shumë durim.

Ndaj që të mos biem viktima të këtij rrethi vicioz është mirë që kritikën ta përqendrojmë së pari tek kultura politike, shumë më fort dhe me shumë më shumë intensitet se sa ç’flasim për mekanizmat riparues ligjorë.

Shqipëria është demokraci e re, por është dhe një shoqëri dhe shtet në proces integrimi në BE. Integrimi është lëvizja jonë historike, është sfida jonë politike, është kriteri me të cilin ne masim suksesin ose dështimin e palëve politike. Në këndvështrimin e zgjedhjeve, kulturës elektorale dhe standardit zgjedhor, integrimi është forca lëvizëse e procesit, e zhvillimit, e reformave.

Unë besoj se praktikat tona të përdorimit të burimeve administrative nuk duhet të maten me nivelin e kulturës sonë politike, por ato dhe kultura jonë politike duhet të maten me objektivat e integrimit.

Objektivat e integrimit përmbajnë kritere politike të forta, me nivel të lartë, të matshme dhe të monitorueshme. Ato kanë aftësinë të rrënjosin tek ne një kulturë të re politike.

Kultura e sëmurë politike, jo vetëm shqiptare, por dhe rajonale e më gjerë, perceptohet tek ne gjerësisht si “lejekalimi” drejt abuzimit me burimet administrative, drejt praktikave të këqija zgjedhore, drejt prishjes së konkurrencës në zgjedhje.

Unë kam pasur rast përpara disa kohësh të kërkoja publikisht që politika shqiptare të mos bashkëjetojë më me praktikat e këqija të qarkullimit të parave të dyshimta në fushatën zgjedhore, të intimidimit të zgjedhësve dhe shit-blerjes të votës, të përdorimit të burimeve të administratës publike dhe politizimit të administratës zgjedhore.

Të gjitha këto fenomene politika dhe shoqëria jonë nuk duhet t’i pranojnë më as si thashetheme, jo më si ngjarje, si fakte apo si shqetësime.

Që kjo gjë të ndodhë, kërkohet kultura e re, e shëndoshë politike. Por që kjo gjë të ndodhë, duhet që kultura e shëndoshë politike të konsiderohet si “vizë hyrje” në BE, si kriter dhe kusht për suksesin e negociatave të anëtarësimit, si gur prove për politikën shqiptare.

Në praktikën e zgjedhjeve shqiptare, vëzhguesit e zgjedhjeve janë ndeshur me forma të ndryshme të këtij problemi: presioni ushtruar mbi nëpunësit civilë dhe punonjësit publikë për votën e tyre dhe të familjarëve, kërcënimi me humbjen e vendit të punës, premtimi për vend pune ose karrierë, mobilizimi i kundraligjshëm për fushatë dhe veprimtari elektorale, detyrimi i nëpunësve për të ushtruar “politikisht” tagrat ligjore (të japin/heqin leje, licensa, autorizime, certifikata, në këmbim të votave), reklamimi i investimeve buxhetore si “argument fushate”, nisja e investimeve të reja publike si “premtim fushate”, etj.

Për të shmangur përdorimin e burimeve publike, ligjvënësi shqiptar përmes nenit 88 të Kodit Zgjedhor e ka ndaluar përdorimin e organeve apo enteve publike në nivel qëndror dhe lokal në mbështetje të kandidatëve, partive politike apo koalicioneve zgjedhore.

Gjithashtu e ka ndaluar përdorimin e burimeve njerëzore të administratës apo institucioneve për qëllime zgjedhore gjatë orarit zyrtar të punës, përdorimin e detyruar dhe të organizuar të nxënësve gjatë orarit mësimor, pushimin nga puna, lirimin nga puna, lëvizjen dhe transferimin në detyrë në institucione apo ente publike gjatë fushatës zgjedhore.

Në zgjedhjet e qershorit 2017 u bë më shumë: u ngrit një Task Forcë ministrore për të bashkërenduar veprimet qeveritare për të shmangur dhe nëse do të ishte e nevojshme, për të ndëshkuar sjelljen e papërshtatshme të organeve administrative në procesin zgjedhor.

Task Forca njohu një sërë praktikash të këqija zgjedhore, por pa shumë efekt parandalues apo korrigjues.

Shqipëria është një vend që evidenton arritje në trajtimin e problemit. Kjo na mbush me shpresë. Por ne ende nuk evidentojmë suksesin që na takon. Ndaj duhet të bëjmë më shumë.

Aktualisht ne kemi nisur një proces reforme ligjore, për të cilin jemi ende në fillimin e debatit publik. Kjo është arsyeja që bën prioritar debatin rreth mekanizmave të reja ligjore, përpara debateve politike e sociale. Ndër këto mekanizma, në vlerësimin tim, më i rëndësishmi është ai që lidhet me transparencën e financimit të partive në zgjedhje.

Transparenca e financimit i jep përgjigje në një masë të madhe edhe keqpërdorimit të burimeve administrative. Të dyja janë çështje resursesh. Të dyja duhet të administrohen ligjërisht njëlloj.

Në Shqipëri duket sikur po krijohet një traditë e sëmurë e fushatave zgjedhore luksoze, pa transparencë financimi të partive politike. Për një vend të vogël si Shqipëria ky është fenomen i papranueshëm, pasi ushqen korrupsionin zgjedhor dhe politik, cënon besimin e publikut tek zgjedhjet dhe demokracia, kriminalizon procesin, delegjitimon përfaqësimin dhe rrënon llogaridhënien politike.

Korrupsioni në financim, prodhon veç zgjedhje të korruptuara, kurse transparenca është antidoti i korrupsionit zgjedhor.

Tezat e reformës duket sikur po shkojnë drejt kodifikimit dhe kostifikimit të fushatës së partive. Synimi është që shpenzimet të mbahen të ulta, të dokumentuara, të monitorueshme dhe të kontrollueshme.

Ky lloj rregullimi duket sikur ka forcën të bëjë jo atraktiv për partitë politike mobilizimin e burimeve administrative, sepse mund të mos i duhen, mund të mos sjellin avantazh elektoral, mund të mos justifikohen dot financiarisht, mund të penalizojnë partinë që abuzon me to. Sigurisht që ky është arsyetim fillestar, i cili ka nevojë t’i nënshtrohet një debati serioz, ka nevojë t’i nënshtrohet një analize deri në detaj.

Unë do të lutesha që diskutimi i sotëm ta trajtojë më hollësisht lidhjen midis financimit të fushatës dhe përdorimit të administratës në zgjedhje, rolin e transparencës dhe llogaridhënies në rrënjosjen e një kulture të re politike.Unë besoj tek transparenca dhe llogaridhënia si instrumenta efikasë.

Sa më shumë partitë do të pranojnë transparencën dhe llogaridhënien publike si standarde të domosdoshme zgjedhore, aq më i madh do jetë kontrolli i shoqërisë mbi ligjëshmërinë e fushatave, aq më i vogël do jetë abuzimi dhe manipulimi i vullnetit të zgjedhësve, aq më e pastër do jetë konkurrenca politike, aq më të mira do jenë zgjedhjet, aq më shpejt do rrënjoset kultura e re politike, perëndimore dhe demokratike.

Faleminderit shumë për mundësinë që më dhatë për të shfaqur këto mendime para jush.