Tiranë, më 30.04.2013

KQZ çertifikon 52 trajnerët e KZAZ-ve

Kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi (Lleshi) dhe përfaqësuesja e Prezencës së OSBE-së në Tiranë,Klaudia Vollmer, kanë shpërndarë “Dëshmi kulafikimi” për 52 trajnerët që morën pjesë në trajnimin e zhvilluar nga KQZ, KiE dhe OSBE. Për 4 ditë me radhë 52 trajnues të KZAZ-ve dhe 24 inspektorë të zyrave rajonale, janë trajnuar nga Drejtoria e Komisioneve Zgjedhore, pranë KQZ-së, të mbështetur nga ekspertë të Këshillit të Europës e OSBE-së. Trajnimi u zhvillua ditën e premte e të shtunë (dt. 26-27.04.2013) për grupin e parë të trajnerëve dhe ditën e hënë dhe të martë (29-30.04.2013) për grupin e dytë. Trajnerët e kualifikuar në këtë trajnim do të trajnojnë komisionerët e nivelit të dytë dhe të tretë në të gjithë vendin. Qëllimi i trajnimit ishte aftësimi dhe rritja e profesionalizimit të trajnerëve dhe inspektorëve rajonal në administrimin e procesit zgjedhor. Në këtë trajnim u sollën për trajnerët shembuj konkret të problematikave të mundshme që mund të krijohen gjatë proçesit të zgjedhjeve dhe mënyrën sesi Kodi Zgjedhor u jep këtyre problematikave zgjidhje.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE