Zëvendëskryetari i KQZ-së, z. Denar Biba, në përmbushje të misionit institucional për drejtimin dhe kontrollin e procesit parazgjedhor, zhvilloi disa takime me komisionerët e KZAZ-ve të zonës juglindore të vendit, në datat 3 dhe 4 qershor 2015.
Komisionerët e nivelit të dytë, në bisedë me z.Biba ndanë ecurinë e deritanishme të punës në lidhje me organizimin e procesit zgjedhor në zonat që ata administrojnë për zgjedhjet vendore të datës 21.06.2015, duke u ndalur dhe diskutuar për problematikat e hasura.
Z. Biba, duke i theksuar të pranishmëve, që pavarësisht rolit dhe përgjegjësive të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, KQZ do të jetë gjithmonë pranë organeve të administratës zgjedhore të çdo niveli, jo vetëm si organi epror për të kontrolluar punën e tyre, por për të bashkërenduar punën në kuadër të mbarëvajtjes së procesit. Z. Biba, i siguroi komisionerët që shqetësimet e tyre do t’ja paraqesë KQZ-së.
Zëvendëskryetari i KQZ zoti Biba, gjithashtu zhvilloi një takim në formën e një leksioni të hapur me studentë të të gjitha fakulteteve të Univeristetit “Fan Noli” të Korçës.
Në fjalën e tij, zoti Biba u përqëndrua kryesisht tek arsyet se përse duhet të respektohet në mënyrë aktive e të përgjegjshme e drejta e votës si dhe tek roli specifik i të rinjve në demokraci.
Studentët, të cilët mbushën auditorin në kapacitet të plotë, e pritën me interes shumë të madh takimin me z. Biba, dhe bashkëbiseduan me të për aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor.