Sot, Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi zhvilloi një takim me Ministrin e Drejtësisë, z. Nasip Naço dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, z. Artur Zoto.

Kryefjala e takimit ishte ushtrimi i të drejtës së votës nga shtetasit që ndodhen duke vuajtur dënimin në Institucionet ë Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Gjatë takimit  u diskutua mosregjistrimi në kohën e duhur , i vendbanimit në RKGJC të shtetasve që vuajnë dënimin në disa institucione të ekzekutimit të vendimeve penale (Durrës, Lushnjë dhe Sarandë) dhe si pasojë këta shtetas nuk janë përfshirë në listën e zgjedhësve, shqetësim ky, i ngritur në raportet e auditëve teknicien, për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të RKGJC-së për përgatitjen e listës së zgjedhësve për zgjedhjet vendore, të datës 21 qershor 2015.

 

Duke qenë se, në bazë të Kodit Zgjedhor, “Lista e zgjedhësve nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në pikën 1 (jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve)”, zgjidhja e vetme për t’i përfshirë këta shtetas në listën e zgjedhësve, është ajo e paraqitjes së kërkesës në gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Luzi, Ministri i Drejtësisë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, ranë dakord që të merren masat e menjëhershme për t’u bërë në mënyrë të organizuar e të shpejtë, kërkesë pranë gjykatave përkatëse për përfshirjen e këtyre shtetasve në listën e zgjedhësve e më pas ngritja e qendrave të votimit të posaçme dhe pajisjen e tyre me numrin e fletëve të votimit të nevojshme.