Tryeza e Rrumbullakët

“Praktikat më të mira dhe Platformat e Trajnimit të Komisionerëve Zgjedhore”

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, organizoi Tryezën e Rrumbullakët, “Praktikat më të mira dhe Platformat e Trajnimit të Komisionerëve Zgjedhore”.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Shefja e Departamentit të Demokratizimit, të Prezencës së OSBE-së, zj. Claudia Wollmer, Shefi i Këshillit të Europës, z. Marco Leidekker, Drejtoresha e Qendrës për Zhvillimin e Sistemeve Zgjedhore, Reformave dhe Trajnimeve në Gjeorgji, zj. Natia Zaalishvili dhe Drejtoresha e Qendrës për Trajnime të Vazhdueshme Zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Moldavisë, zj. Natalia Iuras.
Pjesë e tryezës së rrumbullakët ishin edhe përfaqësues të partive politike parlamentare shqiptare, përfaqësues të organizatave të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare që operojnë në fushwn e zgjedhjeve, përfaqësues të shoqërisë civile, Policisë së Shtetit, ekspertë zgjedhorë dhe trajnues të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor.
Qëllimi i tryezës ishte prezantimi i praktikave më të mira për trajnimin e komisionerëve zgjedhorë, por edhe aktorëve e grupeve të tjera të interesit që marrin pjesë në një proces zgjedhor.
Në fjalën e saj përshëndetëse Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Luzi duke vlerësuar se kjo tryezë vjen në kohën e duhur, theksoi se “KQZ, është e përkushtuar të përmbushë detyrimin e saj ligjor për garantimin e profesionalizmit të administratës zgjedhore, duke synuar që çdo komisioner zgjedhor të kuptojë dhe përvetësojë në mënyrë të saktë çdo procedure ligjore, pasi kuptimi i mirë ligjit zgjedhor i shërben çdo komisioneri për rritjen e paanësisë, objektivitetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë në përmbushjen e detyrës së tij”.
Kryetarja Luzi u shpreh se ”Komisioni Qendror i Zgjedhjeve beson se kjo nismë do të gjejë interesin dhe mbështetjen e të gjithë aktorëve dhe faktorëve të rëndësishëm të përshirë në administrimin e proceseve zgjedhore dhe se vullneti i përbashkët do të sjellë një realitet të ri në formimin e administratës zgjedhore”.
Prezantimi dhe krahasimi i platformave të suksesshme të trajnimit të komisionerëve zgjedhorë, konkretisht modeli i Gjeorgjisë dhe Moldavisë, ishte edhe baza e diskutimeve për mundësitë reale të përmirësimit të platformës së trajnimit të komisionererëve zgjedhorë në Shqipëri.
Të pranishmit ndanë mendimin se ka ardhur koha që një “Qendër Trajnimi”, e cila diskutohet prej mëse një dekade, të konsiderohet si alternativa më e mirë që shmang shumë probleme që cënojnë aktualisht platformën e trajnimit të komisionereve zgjedhore.
Përfaqësuesit e partive politike, shoqërisë civile dhe ekspertëve zgjedhorë, shprehën mendimin se vënia në jetë e një qendre të tillë, do të ndikojë në rritjen e profesionalizmit të administratës zgjedhore.

Fjala e Kryetares së KQZ-së në tryezën e rrumbullakët, “Praktikat më të mira të platformave të trajnimit të komisionerëve zgjedhore”

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE