Starton projekti “Edukimi zgjedhor i komuniteteve rome dhe egjiptiane”.
Kryetari i KQZ-së, Denar Biba: Merrni pjesë në votime dhe votoni të pandikuar.
Sot në ambjentet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u prezantua projekti “Edukimi zgjedhor i komuniteteve rome dhe egjiptiane”, i cili startoi me trajnimin e trajnerëve të cilët do të trajnojnë komunitetet rome dhe egjiptiane në të gjithë Shqipërinë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bazë të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për vlerësimin e veprimtarisë së KQZ-së për vitin 2015, si edhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR, në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Rome në Shqipëri (IRCA), ka hartuar programe edukuese zgjedhore të përshtatura për komunitetet rome dhe egjiptiane, implementimi i të cilave do të mbështetet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Kryetari i KQZ-së, z. Denar Biba në fjalën e tij theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të këtyre komuniteteve, mbi vlerën e votës dhe pjesëmarrjes në votime, si një nga mënyrat më të mira për të ndaluar fenomenin e shitjes dhe blerjes së votës.
Zoti Biba kërkoi nga pjesëmarrësit në trajnim, që dijet që do të përfitojnë sot, mbi vlerën e votës dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, t’i ndajnë me sa më shumë persona të komuniteteve të tyre.
Përfaqësuesi i Prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Florian Hobdari tha se komunitetet rome dhe egjiptiane duhet të sensibilizohen që çdo votë ka vlerë dhe se vota e tyre mund të bëjë diferencën. Sipas tij, është e rëndësishme të shkohet për të votuar dhe akoma më e rëndësishme është të votohet vetë.
Të rinjtë që marrin pjesë në trajnimin e sotëm, vijnë nga 8 qarqe ku ka vendqendrime të komunitetit rom dhe egjiptian, dhe do të jenë pjesë e programeve edukuese që do zhvillohen gjatë periudhës Dhjetor 2016 – Qershor 2017, si trajnues të projektit “Edukimi zgjedhor i komuniteteve rome dhe egjiptiane”, i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.