Sot, Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri takoi z. Detler Kreutzer, Këshilltar i Përhershëm i projektit të Binjakëzimit, Austri-Gjermani-Shqipëri, “Mbështetje për formulimin, koordinimin dhe implementimin e politikave anti-korrupsion”. I pranishëm në takim ishte edhe z. Kimmo Vikman, Kordinatori i Komponentit 2 dhe 5, të këtij projekti i cili financohet nga Bashkimi Evropian.
Në takim, u diskutua ecuria e projektit që ka startuar në vitin 2016 dhe përfundon në vitin 2019, ku KQZ është pjesë e komponentit 5, i cili synon rritjen e kapaciteve të burimeve njerëzore në luftën kundër korrupsionit, me fokus të veçantë, financimi i partive polititike, si një nga prioritetet e veprimtarisë së KQZ-së.
Kryetari i KQZ-së, z. Zguri i falenderoi përfaqësuesit e Projektit të Binjakëzimit, për ekspertizën e ofruar për KQZ-në, dhe shprehu vlerësimet maksimale për asistencën e ofruar nga organizmat ndërkombëtar në funksion të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Nga ana e tij, z. Kreutzer u shpreh se; “Mbështetja e KQZ-së, është prioritet i këtij projekti, edhe për shkak të rolit kyç që, KQZ ka në monitorimin e financimit të partive politike gjatë fushatës zgjedhore”.