Fjala e plote e Kryetarit të KQZ-së, z. Klement Zguri në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, mbi veprimtarinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë vitit 2019.
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Si gjithmonë është kënaqësi që, në emër të KQZ-së, të vij para jush e të raportoj për punën një vjeçare të institucionit. Mandati im si kryetar i KQZ-së përfundon në fund të këtij viti. Kështu që, për mua, ky është një takim i rëndësishëm, sepse është raportimi im i fundit para jush për këtë mandat.
Më datë 3 prill 2019, në raportimin tim vjetor para jush pata shprehur shqetësimin, se përplasja politike nuk do t’a linte KQZ-në pa e përfshirë në vorbullën e saj, për shkak se ajo mund të godiste zgjedhjet lokale, ose së paku administrimin e tyre
Jam ndjerë shumë i prekur që këtë shqetësim Kuvendi e bëri shqetësim të vetin, kur me rezolutën që miratoi i shfaqi KQZ-së mbështetjen e plotë institucionale, sikurse i kërkoi që të merrte masa “për garantimin e funksionimin e rregullt të administratës zgjedhore, duke konsideruar që mund të ndodhet në kushtet e braktisjes së sistemit nga partitë kryesore të opozitës parlamentare”.
Kjo rezolutë i dha KQZ-së fuqinë e nevojshme për të përgatitur dhe zbatuar mekanizmat neutralë, të cilat shpëtuan administrimin e zgjedhjeve nga kolapsi.
Në fund të procesit, menaxhimi në emergjencë i zgjedhjeve na dha jo thjesht një përvojë më shumë, por na pasuroi me një model administrimi që është udhërrëfyes për të ardhmen.
Konflikti i fortë politik i vitit 2019 dhe përplasja për zgjedhjet lokale ndikuan thelbësisht në performancën e KQZ-së dhe të administratës zgjedhore. Konflikti politik i shndërroj ato zgjedhje në zgjedhje jo normale, kurse KQZ-në e çoi në kufijtë e ezaurimit.
KQZ-ja nuk ishte shkaku i atij konflikti, por thjesht një nga viktimat e tij. Për shkak të tij, ne nuk funksionuam kurrë në përbërje të plotë, si organ drejtues. Për shkak të tij, administrimi i zgjedhjeve u disbalancua, kontrolli u dobësua, besimi tek procesi u minua. Mbi të gjitha, për shkak të tij, konkurenca u prish dhe votuesit nuk patën mundësi domethënëse për të zgjedhur midis ofertave politike.
KQZ-ja u përpoq t’i dilte zot situatës, por rrethanat ishin më të forta se vullneti.
Gjithsesi ne jemi të kënaqur që disa arritje të shëndosha të mandatit tonë mundën të rezistonin.
Vlerësimi i ODIHR-it për punën tonë në zgjedhjet lokale ishte përgjithësisht pozitiv (“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi mbledhje të rregullta publike dhe rregulloi në mënyrë të plotë aspektet e ndryshme të procesit”, ose “KQZ-ja ishte dukshëm përfshirëse në qasjen e saj ndaj regjistrimit të kandidatëve”, apo “votimi u zhvillua në mënyrë përgjithësisht të paqtë e të rregullt, kurse numërimi u vlerësua gjithandej pozitivisht”).
Nga ana tjetër, kritikat ishin thelbësisht më të rrepta (“KQZ-ja e interpretoi ligjin në mënyrë jo të njëtrajtëshme dhe tepër të gjerë, gjë që zvogëloi sigurinë juridike”).
Misioni vëzhgues i ODIHR-it e ka analizuar në detaje procesin, me objektivitet e paanësi. Ne i kemi pranuar me përulësi vërejtjet. Kuvendi ka nisur punën për përfshirjen e rekomandimeve në reformën e ardhshme ligjore.
Nga kjo pikëpamje, në këtë seancë nuk ka shumë për të shtuar, përveç pak gjërave të karakterit informativ apo statistikor për procesin zgjedhor dhe për zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë të vitit të kaluar për veprimtarinë e KQZ-së, si; administrata zgjedhore, financimi i partive politike, dekriminalizimi, pakicat kombëtare e të tjerë.
- Regjistrimi i kandidatëve-Dekriminalizimi
Zgjedhjet e vitit të kaluar ishin zgjedhjet e para vendore, ku u zbatua dhe ligji i dekriminalizimit në këtë magnitudë dhe kompleksitet.
Për zgjedhjet e 30 qershorit u regjistruan 36 parti politike dhe u depozituan 123 lista shumemërore për kandidatë për anëtarë të këshillit bashkiak.
KQZ arriti të bëjë verifikimin e 80 % të kandidatëve (në total 10.256 kandidatëve për kryetar dhe këshillave bashkiak), para se ata të regjistroheshin sipas procedurave të parashikuara në ligj.
Komisioni verifikoi integritetin e 10.153 shtetasve që depozituan dokumentacionin për kandidim në këshillat bashkiak dhe 103 shtetasve për kryetar bashkie.
Pas verifikimit u regjistruan:
- 97 kandidatë për kryetar bashkie (86 meshkuj dhe 11 femra)
- 872 kandidatë për këshilltarë bashkiak (5033 meshkuj dhe 4839 femra).
- Administrata zgjedhore.
Ky proces administrimi zgjedhjesh nuk përfitoi dot nga kontributi i të propozuarve nga partitë e opozitës, PD dhe LSI. Kjo bëri që administrimi i zgjedhjeve të bëhej nga komisione që nuk funksionuan dot në përbërje të plotë.
Vakancat, atje ku ishte e nevojshme për plotësimin e kuorumit, u mbushën me kandidatë të përzgjedhur pas thirrjes publike të KQZ-së drejtuar zgjedhësve, që të bëheshin pjesë e administrimit të procesit.
KQZ-ja plotësoi dhe ndryshoi proceduarat e përzgjedhjes së kandidatëve nga publiku, me qëllim që përzgjedhja të ishte neutrale dhe besimi tek procesi të mos cënohej.
KQZ emëroi kryesisht nga një anëtar në 45 KZAZ-të me numër tek dhe nga një sekretar në 45 KZAZ me numër çift.
E njejta procedurë u ndoq për KQV-të, ku vakancat e krijuara u plotësuan nga KZAZ-të me kandidatë të kualifikuar nga radhët e publikut.
Në Grupet e Numërimit, vakancat u plotësuan nga KZAZ-ja, duke përzgjedhur me short midis anëtarëve të KQV-së të emëruar nga radhët e publikut.
Zgjidhja që ndërmori KQZ ishte zgjidhje emergjence. Por ajo funksionoi. Administrimi i zgjedhjeve nuk u bllokua dhe përgjithësisht rrodhi në mënyrë të qetë e të rregullt.
Ka vlerë të evidentohet ky fakt, sepse, ndonëse nga halli, zgjidhja shënon sot embrionin e një administrate jo politike, e cila përzgjidhet mbi kritere të shëndosha dhe me procedura neutrale.
- Financimi partive politike
Trajtimi i problematikës së financimit të partive politike për KQZ-në shënon një arritje të mirëfilltë, vlerësuar si e tillë edhe nga Raporti përfundimtar i ODIHR-it.
Në zgjedhjet vendore, nuk raportuan vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. Kjo do të thotë më shumë trasparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim.
Kryefjala e veprimtarisë së KQZ-së në këtë drejtim ishte monitorimi dhe kontrolli.
KQZ emëroi 34 auditues ligjorë, të cilët kryen monitorimin dhe auditimin e fondeve dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore. Ekspertët monitoruan dhe audituan për fondet dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore 36 parti politike dhe 16 kandidatë të mbështetur nga zgjedhësit. Audiuesit ligjorë depozituan 4 raporte monitorimi të ndërmjetëm dhe 35 raporte të monitorimit përfundimtar të fushatës zgjedhore.
Njëzet e dy (22) parti politike nga tridhjetë e gjashtë (36) parti të regjistruara si subjeket zgjedhor, kanë dorëzuar raport financiar për fushatën zgjedhore.
Ndërkohë që audituesit kanë depozituar në KQZ 35 raporte auditimi.
Aktualisht, KQZ ka përfunduar procesin e verifikimit dhe kontrollit të raporteve, por shqyrtimi i tyre në mbledhje të KQZ-së do të zhvillohet pas normalizimit të situatës nga pandemia COVID-19, pasi mbledhjet e KQZ-së janë publike dhe kërkojnë pjesëmarrjen e shumë personave.
KQZ-ja ka ndryshuar sjelljen e saj ndaj raportimeve dhe auditimeve. Ato nuk janë më formalitet, nuk bëhen më për të kaluar radhën.
Një vit më parë, ne vendosëm sanksione të rrepta ndaj subjekteve kundravajtës.
Këtë vit, cilësia e raportimeve dhe auditimeve është rritur ndjeshëm. Prandaj dua ta evidentoj këtë aspekt, sepse këtu jemi vërtet në rrugë të mbarë.
- Ankimimet
Në këto zgjedhje, përpara datës së zgjedhjeve u depozituan në KQZ 14 kërkesa ankimore. Pas datës së zgjedhjeve në KQZ u depozituan gjithsej 47 kërkesa ankimore.
Para datës së Zgjedhjeve, kundër vendimit të KQZ-së u depozituan 13 kërkesa ankimore në Kolegjin Zgjedhor. Kolegji vendosi rrëzimin e kërkesës për 11 ankime dhe pranimin e kërkesës për 2 ankime.
Pas datës së zgjedhjeve, në Kolegjin Zgjedhor u depozituan 71 kërkesa ankimore, nga të cilat 61 ishin për vendimet e KQZ-së që nuk kishin siguruar shumicën e kërkuar të votave dhe duhet të konfirmoheshin nga Kolegji (shpërndarja e mandateve për këshillat bashkiak). 10 ankimet e tjera u rrëzuan të gjitha nga Kolegji.
- Akreditimi i vëzhguesve
Zgjedhjet e 30 qershorit 2019, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, u vëzhguan nga një numër jo shumë i madh organizatash jo qeveritare, organizma ndërkombëtare, përfaqësi diplomatike në Shqipëri dhe Media.
E pasqyruar në shifra, janë akredituar gjithsej 2,091 vëzhgues, nga të cilët 1413 ishin vendas dhe 678 ishin të huaj.
Unë nuk besoj se ky raportim ka nevojë të marrë në analizë çdo aspekt të zgjedhjeve, çdo problematikë, çdo të metë apo mangësi të administrimit. Ato janë vlerësuar në detaje nga misioni vëzhgues i ODIHR-it dhe reforma zgjedhore që ju keni në proces do t’i adresojë ato me siguri.
Dua vetëm të ndaj me ju, nëse më lejoni, një koment thelbësor që lidh institucionin me situatën. Konflikti politik i vitit 2019 ishte një provë sfilitëse për KQZ-në.
Si trupë e ngritur mbi parimin e balancimit politik, KQZ-ja është e destinuar të dështojë kur vihet të përplaset me politikën.
Menaxhimi i zgjedhjeve është një punë e vështirë, sepse është një punë që kryhet nën presion publik.
Sa më të larta temperaturat e mjedisit politik, aq më i ulët është mirëkuptimi dhe solidariteti me drejtuesin e zgjedhjeve. KQZ-ja këtë radhë i mbijetoi përplasjes, sepse ajo nuk ishte në themel të konfliktit, por thjesht një nga viktimat e tij. Një përplasje tjetër e ngjashme, ose më e madhe se kjo mund edhe ta rrëzojë KQZ-në dhe, bashkë me të, gjithë administratën zgjedhore.
Prandaj ka rëndësi imperative që Kuvendi të ndërhyjë, të reformojë institucionin, ta mbrojë atë nga vala goditëse. Përplasjet politike nuk janë në dorën tonë, nuk i parashikojmë dot, nuk i parandalojmë dot. Por reforma institucionale është. Atë e kemi në dorë, atë mund ta bëjmë, për të jemi përgjegjës.
Nga informimi publik për reformën zgjedhore ne kemi mësuar se propozimet shkojnë drejt ndryshimit rënjësor si të KQZ-së, ashtu dhe të administratës zgjedhore. Vullneti juaj është vullneti i sovranit dhe ne i nënshtrohemi atij. Nga pozicioni që mbuloj unë nuk mund të bëj asnjë koment tjetër veçse të them: u bëftë më e mira!
Gjithsesi, për një gjë më duhet të sensibilizoj publikisht: reforma duhet të kryhet një orë e më parë! Kuadri i ri ligjor kërkon punë dhe kohë për t’u kompletuar me aktet nënligjore.
Një sërë masash organizative dhe logjistike duhet të vijojnë, të gjitha jetike për mbarëvajtjen e procesit të ardhshëm zgjedhor.
Dita që Kuvendi do të miratojë ligjin e ri të zgjedhjeve, nuk do jetë dita që ju dhe ne do të kemi kapërcyer lumin e reformës. Ajo do jetë dita kur, të gjithë bashkë, duhet të futemi me kurajo dhe besim në ujrat e thella dhe të rrëmbyeshme të tij. Mos i’a lini këtë sfidë momentit të fundit, mos i’a lini rastësisë.
Zgjedhjet e ardhshme nuk mund t’i bëjmë shkel e shko, nuk na lejohet, nuk është ky standardi ynë.
Unë dua ta mbyll këtu prezantimin tim, pa marrë më shumë kohë nga koha juaj e çmuar. Dua ta mbyll, duke ju falenderuar me respekt për mbështetjen që i keni dhënë KQZ-së gjatë mandatit tuaj dhe gjatë mandatit tim.
Ju faleminderit!