Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizuan trajnimin e trajnerëve për edukimin qytetar dhe demokratik të votuesve. Ky trajnim tre ditor, zhvillohet në kuadër të projektit “Promovimi i pjesëmarrjes pro-aktive të shoqërisë civile në proceset demokratike”.
Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi, në fjalën e saj përshëndetëse në emër të institucionit që drejton, shprehu mirënjohjen për rolin dhe kontributin që OSBE ka dhënë për KQZ-në.
Zj. Luzi tha se edukimi zgjedhor, jo vetëm i votuesve të sotëm por edhe atyre që do të jenë votuesit e nesërm, është misioni ynë më i rëndësishëm.
“Qytetarë dhe zgjedhës të mirëinformuar, të sensibilizuar dhe të ndërgjegjësuar për vlerën dhe rëndësinë e votës së tyre, të ndërgjegjësuar se të zgjedhësh nuk është vetëm një e drejtë kushtetuese por edhe detyrim qytetar, kontribuojnë pozitivisht në rritjen e standartet demokratike të vendit, e veçanërisht standarteve që garantojnë zgjedhjet të lira dhe të ndershme”.
Në fjalën e tij të rastit, Zëvëndëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Robert Willton, tha se, “Demokracia nuk ndodh vetvetiu. Shoqëria e qëndrueshme, e sigurt dhe e begatë, që kujdeset për nevojat e të gjithë pjesëtarëve të vet, nuk bëhet vetvetiu. Ajo kërkon pjesëmarrjen dhe kontributin e të gjithë qytetarëve. Edukimi është çelësi i rritjes së pjesëmarrjes. Për t’u bërë qytetarë aktivë, njerëzit duhet të njohin institucionet demokratike të vendit dhe të kuptojnë se si funksionojnë ato. Përveç kësaj, duhet të dinë se si ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet.
Trajnimi i trajnerëve u zhvillua nën kujdesin e Dr. Alenka Verbole, Shefe e Zyrës së Demokratizimit të OSBE-së, Dr. Igor Gaon dhe z. Ilir Rusmajli, konsulentë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe delegacioni i KQZ-së së Malit të Zi, i cili ndodhet për një vizitë studimore në vendin tonë, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave me KQZ-në e Shqipërisë.
Fjala e Kryetares së KQZ-së, zj. Lefterje Luzi në Trajnimin e Trajnuesve për Edukimin Qytetar dhe Demokratik të Votuesve.
Fjala e Zëvendëskryetarit të Prezencës së OSBE-së, z. Robert Willton, në Trajnimin e Trajnuesve për Edukimin Qytetar dhe Demokratik të Votuesve