Në bazë të nenit 29 të Kodit Zgjedhor, si dhe nenit 5 të Udhëzimit nr. 2, datë 5.12.2020 të Komisionit Rregullator “Për caktimin e procedurave të përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht për plotësimin e vakancës në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe Komisionet e Qendrave te Votimit”, çdo shtetas me të drejtë vote që është i interesuar të emërohet kryesisht për plotësim të vakancave në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 Prill 2021, mund të paraqesë kërkesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

 

Kushtet për emërimin kryesisht të anëtarit dhe të sekretarit të KZAZ-së

Anëtar dhe sekretar i Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor mund të emërohet kryesisht nga Komisioneri çdo shtetas që plotëson kushtet e mëposhtme:

a) gëzon të drejtën për të qenë zgjedhës;

b) ka arsim të lartë dhe në rastin e sekretarit të jetë jurist;

c) është me vendbanim brenda zonës zgjedhore përkatëse;

ç) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;

d) ndaj tij nuk është marrë masë disiplinore në proceset zgjedhore të mëparshme;

dh) nuk ka qënë anëtar i strukturave drejtuese të ndonjë partie politike tre vitet e fundit.

Papajtueshmëritë me detyrën e anëtarit dhe të sekretarit të KZAZ-së

Nuk mund të shprehin interes dhe as të emërohen kryesisht anëtarë dhe/ose sekretarë  të Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor shtetasit që janë:

a) deputetë ose kandidatë për deputetë në Kuvend;

b) kryetarë të bashkive;

c) ushtarakë, punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit ose të Shërbimit Informativ Shtetëror;

ç) anëtarë apo sekretarë të një komisioni tjetër zgjedhor.

 

Dokumentacioni që duhet të paraqesin shtetasit e interesuar:

  1. Kërkesë për shprehje interesi për emërim kryesisht si anëtar apo si sekretar në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor në qarkun/zonën e administrimit zgjedhor ku kanë vendbanimin. Kërkesa paraqitet e nënshkruar dhe duhet të përmbajë edhe adresën e postës elektronike, si dhe numrin telefonik të kontaktit.
  2. Çertifikatë personale të lëshuar nga zyra e gjendjes civile apo nga portali e-albania.
  3. Kopje të noteruar të diplomës së arsimit të lartë. Kërkesa për shprehje interesi për emërim kryesisht sekretar i Komisionit të Zonës të Administrimit Zgjedhor duhet të shoqërohet me kopje të noteruar të diplomës së arsimit juridik.
  4. Deklarim të nënshkruar se:
  • tre vitet e fundit nuk ka qënë pjesë e strukturave drejtuese të asnjë partie politike;
  • pesë vitet e fundit nuk ka patur aktivitet të deklaruar publik në fushatë zgjedhore ose aktivitetin politik të një subjekti zgjedhor;
  • nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
  • ndaj tij/saj nuk është marrë masë disiplinore në proceset zgjedhore;
  • shprehja e interesit për emërim kryesisht në përbërje të Komisionit të Zonës të Administrimit Zgjedhor nuk shkon për mbështetje të asnjë partie politike.

Dorëzimi i dokumentacionit:

Afati: 17 Dhjetor 2020

Adresa: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Rruga “Ibrahim Rugova” nr. 4”, Tiranë.

Udhëzimi nr. 2, datë 5.12.2020 i Komisionit Rregullator “Për caktimin e procedurave të përzgjedhjes  dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht për plotësimin e vakancës në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor  dhe Komisionet e Qendrave te Votimit”, është i publikuar në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve www.kqz.gov.al.

 

Për më shumë informacion, të interesuarit mund të kontaktojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në [email protected]