Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Klement Zguri dhe Zëvëndëskryetari z. Denar Biba pritën në takim z. Dennis Wesner, Supervizor i Programeve dhe znj. Mina Hasaj, Oficere e Projekteve të USAID , z. Sean Melbourne, Zv.Ambasador i Ambasadës Britanike dhe znj. Marjana Papa, Drejtoreshë e Programeve të Ambasadës, z. Robert Benjamin, Drejtor Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan, znj. Ana Kovacevic, Drejtoreshë e NDI për Shqipërinë dhe z. Vildan Plepi, Këshilltar i NDI.
Takimi u zhvillua në kuadër të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin dhe arritjet e deritanishme lidhur me financimin e partive politike, si edhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm.
Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri i shprehu mirënjohjen përfaqësuesve të lartë të USAID, NDI dhe Ambasadës Britanike për mbështetjen që i kanë dhënë KQZ-së në një çeshtje delikate dhe me rëndësi të veçantë për proceset zgjedhore, financimin e partive politike. Zguri u shpreh se transparenca e financimit të partive politike, Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Informacionit Zgjedhor, depolitizimi i administratës zgjedhore përmes profesionalizimit të tyre, trajnimi dhe edukimi zgjedhor intensiv janë me rëndësi të veçantë në arritjen e standardeve zgjedhore, ndaj mbështetja e tyre do të ishte thelbësore në përmirësimin e procesit zgjedhor.
Zëvëndësambasadori i Britanisë së Madhe, z. Sean Melbourne u shpreh se KQZ është institucioni kyç për zhvillimin dhe administrimin transparent të proceseve zgjedhore, për hartimin dhe zbatimin e akteve për të bërë transparencën e financimit të partive politike ndaj dhe mbështetja do të vijojë edhe në të ardhmen.
Nga ana e tij, Drejtori Rajonal i NDI, z. Robert Benjamin u shpreh i kënaqur me arritjet e deritanishme të bashkëpunimit KQZ-NDI-USAID-Ambasadë Britanike pasi integriteti dhe transparenca në proceset zgjedhore rrit besimin e publikut. Z. Benjamin tha se çeshtjet e financimit të partive politike janë thelbësore për rritjen e besimit të publikut në proceset zgjedhore ndaj mbështetja ndaj KQZ-së do të vijojë.
Vlerësime për bashkëpunimin me KQZ-në shprehu edhe z. Dennis Wesner, Supervizor i Programeve të USAID, organizatë e cila bashkëpunon prej vitesh më Komisionin.
Përfaqësuesit e USAID, NDI dhe Ambasadës Britanike siguruan se mbështetja për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të vijojë edhe për zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.