Vijojnë trajnimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi në qytetin e Fierit trajnime mbi procesin zgjedhor.
Trajnimi u zhvillua në Qendrën rinore ”Epoka e Re” dhe në të morën pjesë nënpunës të administratës së organeve të qeverisjes vendore, komisionerë nga zgjedhjet e kaluara, përfaqësues të mediave dhe të rinj.
Një sesion i veçantë trajnimi, u realizua edhe në një nga Shkollat e Mesme të këtij qyteti.
Sesionet e trajnimit trajtuan temat;
– Ngritja/funksionimi/detyrat e Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ);
– Ngritja/funksionimi/detyrat e Komisionit të Qendrës së Votimit (KQV);
– Njohuri të përgjithshme për procesin zgjedhor “Sistemi zgjedhor, administrata zgjedhore, institucionet e ngarkuara me detyra nga Kodi Zgjedhor, cikli zgjedhor, roli i medias”;
– “Të votosh- vlerë e demokracisë- e drejtë dhe detyrë qytetare”.Votues, komisioner apo vëzhgues i procesit zgjedhor të ardhshëm, njohuritë ligjore për të gjithë etapat dhe procedurat e procesit zgjedhor i shërbejnë rritjes së standarteve të procesit zgjedhor!
Trajnimi u ndërtua në formën e diskutimit me pyetje e përgjigje, ndërkohë që interesi i të rinjve pjesëmarrës u fokusua në menaxhimin e votës së tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në sesionin e dedikuar edukimit për votuesit e rinj, u simulua procesi i votimit, ku komisionerë të Qendrës së Votimit ishin vetë të rinjtë.
Administrata e KQZ-së i ftoi të rinjtë që të ndërveprojnë me KQZ-në jo vetëm përmes faqes zyrtare të internetit por edhe rrjeteve sociale, si më të preferuarat e grup-moshës së tyre.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kuadër të punës për përgatitjen e administrimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2015 po zhvillon sesione trajnimi të përgjithshëm me fokus kryesor “Edukimin zgjedhor të shtetasve”, në bazë të një kalendari i cili ka filluar në qytetin e Lezhës dhe do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.