Seminari “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve: Shkëmbimi i përvojave mes Shqipërisë dhe Sllovenisë”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Qendrën për Perspektivë Evropiane (CEP), organizoi seminarin “Forcimi i transparencës së zgjedhjeve; Shkëmbimi i përvojave mes Shqipërisë dhe Sllovenisë”.
Ky seminar, u zhvillua në kuadër të projektit “Forcimi dhe Pavarësia e Trupave të Menaxhimit Zgjedhor”, mbështur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë.
Pjesëmarrës në seminar ishin Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësues të trupave diplomatik në Shqipëri, ekspertë ndërkombëtarë zgjedhor, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile që operojnë në fushën e zgjedhjeve.
Seminari u hap nga Kryetari i KQZ-së z.Klement Zguri, Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë, zj. Lea Stančič dhe Drejtori i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Sllovenisë z. Dušan Vučko.
Kryetari i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, z. Klement Zguri falenderoi Ambasadën e Republikës së Sllovenisë, për mbështetjen e këtij projekti, i cili krijoi jo vetëm mundësi bashkëpunimi mes dy insitucioneve homologe, por realizoi një diskutim gjithpërfshirës të faktorëve dhe aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor në Shqipëri, vendosur në kontekst të situatave dhe zhvillimeve konkrete, si zhvillimi i zgjedhjeve vendore dhe reformës zgjedhore në Shqipëri.
Kryetari i KQZ-së, z. Zguri u shpreh se transparenca e veprimtarisë së Komisionit gjatë gjithë ciklit zgjedhor rrit besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe është antidoti më i mirë kundër fenomeneve negative që cënojnë zhvillimin e zgjedhjeve demokratike në përputhje me standardet europiane.
Shkëlqësia e saj, Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë, zj. Lea Stančič vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe theksoi se shkëmbimi i eksperiencave është shumë e rëndësishme për të nxjerrë mësimet e duhura dhe për t’u ndërmarrë hapat e nevojshëm për rritjen e transparencës dhe rritjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor.
Drejtori i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Sllovenisë, z. Dušan Vučko ndau me të pranishmit përvojën sllovene të administrimit dhe menaxhimit të proceseve zgjedhore ndër vite.
Diskutimet e pjesëmarrësve nxorën në pah rëndësinë që ka realizimi i Reformës Zgjedhore, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, transparenca e financimit të partive politike, depolitizimi i komisioneve të të gjitha niveleve e të tjera, çeshtje që kërkojnë një trajtim më të plotë dhe të thellë, çka nëkupton jo vetëm ndryshime të Kodit Zgjedhor, por edhe harmonizim të ligjeve në fuqi.