Financimi dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore, KQZ nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me IEKA.

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), për monitorimin e financimit dhe shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri dhe Kryetari i Këshillit Drejtues të IEKA-s, z.Hysen Çela.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Klement Zguri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të KQZ-së dhe IEKA-s, për të siguruar monitorim efikas të financimit të partive politike dhe shpenzimeve që ato bëjnë gjatë fushatës zgjedhore. Zoti Zguri tha se, “Ndryshimet e bëra nga Kuvendi i Shqipërisë në ligjin për partive politike, e kanë vënë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përpara një sfide të vërtetë, për shkak të kohës së kufizuar që ka në dispozicion, për të për të nxjerrë të gjithë aktet ligjore të nevojshme dhe për të marrë të gjithë masat e duhura për të bërë mbikqyrjen e financimit dhe shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore. Duke qenë se ky aspekt i procesit zgjedhor ka një rëndësi të veçantë, KQZ në bashkëpunim me IEKA-n do të angazhohen maksimalisht që monitorimi i financimit të partive politike dhe shpenzimeve të tyre nga audituesit ligjore të IEKA-s, të përmbushë kërkesat ligjore dhe të sigurojë transparencë”.
Nga ana e tij, Kryetari i Këshillit Drejtues të IEKA-s, z.Hysen Çela shprehu angazhimin maksimal të institucionit që ai drejton, për të ofruar konsulencë për përcaktimin e regullave që do të ndjekin audituesit, trajnimin e financierëve të partive politike dhe të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces, si dhe mbikqyrjen e procesit të monitorimit nga ana e ekspertëve. Zoti Çela tha se, të gjithë problematikat që do të konstatohen në raportet e monitorimit, do t’i shërbejnë përmirësimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor.

KQZ dhe IEKA do të angazhohen të shqyrtojnë në mënyrë të ndërsjelltë kërkesat dhe propozimet e dyanshme, për të sjellë një monitorim dhe mbikqyrje sa më efikase të financimit dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore.

MARRËVESHJA