Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mënyrë të përsëritur përmes shkresave zyrtare dhe deklaratave publike në media, ka ngritur shqetësimin për mos zbatimin e Kodit Zgjedhor dhe Udhëzimit nr. 1, të KQZ, datë 12.12.2012, nga Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore, të cilët brenda datës 26 janar, duhet të dorëzonin pranë KQZ informacion për Qendrat e Votimit dhe Hartat Zgjedhore.
Pavarësisht tejkalimit të afatit ligjor, vijojnë të mos sjellin asnjë informacion, as për Qendrat e Votimit dhe as për Hartat Zgjedhore, Kryetarët e 67 njësive vendore, konkretisht: (lista me njësitë e qeverisjes vendore që nuk kanë sjellë asnjë informacion)
Për Qendrat e Votimit, nuk kanë sjellë informacion Kryetarët e 72 e njësive të qeverisjes vendore, nga të cilat vetëm 5 prej tyre kanë sjellë hartat zgjedhore. (lista me njësitë e qeverisjes vendore që nuk kanë sjellë informacion për QV)
Po ashtu, vijojnë të mos sjellin informacion për Hartat Zgjedhore Kryetarët e 210 njësive vendore, nga të cilët 143 njësi kanë sjellë të dhëna për QV-të. (lista me njësitë e qeverisjes vendore që nuk kanë sjellë informacion për Hartat Zgjedhore)
Ndërkohë, në zbatim të nenit 93 të Kodit Zgjedhor, për përgatitjen e infrastrukturës për zgjedhjet e datës 21 Qershor 2015, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju ka kërkuar Kyetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore të sjellin informacion për Qendrat Votimit që për shkaqe objektive mund të vendosen në ambiente private.
Deri tani kanë sjellë informacion 126 njësi të qeverisjes vendore që kanë propozuar vendosjen në ambiente private 428 Qendra Votimi, nga të cilët vetëm 13 prej tyre e kanë sjellë informacionin e plotë.
Ndërkohë, 110 Kryetarë të Njësive të Qeverisjes Vendore kanë sjellë informacion të paplotë, duke mos refereuar arsyet pse Qendrat e Votimit nuk mund të vendosen në ambiente publike dhe duke dërguar vetëm një alternativë, ndërsa Kodi Zgjedhor përcakton se për çdo Qendër Votimi propozimi duhet të paraqitet në dy objekte alternative private.
KQZ sjell në vëmendje të Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore, se argumenti i parashtruar; “Se këto QV kanë qënë të vendosura në po këto ambiente private në zgjedhjet e 2013”, nuk është i bazuar e në respektim të kritereve të përcaktuara në Kodit Zgjedhor. Në vitin 2013 KQZ ka miratuar caktimin e këtyre 400 QV në ambiente private, në pamundësi objektive për të caktuar vendndodhjen në ambiente publike, situatë e cila mund të rezultojë e ndryshme pas dy vitesh.
Të gjithë Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore të përmenduar më lart, të sjellin mënjeherë informacionin e kërkuar pranë KQZ-së, pasi po pengojnë punën e Komisionit Qendror të zgjedhjeve në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, për zgjedhjet e datës 21 Qershor 2015.
Ky është paralajmërimi i fundit, pasi KQZ do të vijojë me vendosjen e sanksioneve administrative (gjoba) dhe me procedim penal për shpërdorim detyre.