Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Shqipërisë, zhvilluan një takim të përbashkët gjatë së enjtes.
Fillimisht kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka, u uroi mirëseardhje anëtarëve të KQZ-së së Republikës së Shqipërisë, ndërsa i informoi edhe për rrjedhën e procesit të Zgjedhjeve Lokale në Kosovë, dhe suksesin e arritur në organizimin e këtyre zgjedhjeve. Ndërkaq, nga ana e saj, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Shqipërisë, znj. Lefterije Luzi (Lleshi), përgëzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës për organizimin e suksesshëm të procesit zgjedhor.
Në vazhdim të takimit, të dy komisionet u pajtuan që në të ardhmen të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, dhe në këtë drejtim në një të ardhme të afërt të nënshkruhet Memorandum i Bashkëpunimit afatgjatë dhe i përherhershëm, i cili do të ndihmonte të dyja institucionet në realizimin e objektivave të tyre.
Pas këtij takimi, në një konferencë të përbashkët, znj. Valdete Daka, theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet në integrimin në Bashkimin Evropian. “Gjatë këtij takimi, diskutuam për vështirësitë dhe suksesin e këtyre zgjedhjeve, dhe ky shkëmbim i përvojave do të jetë kontribues dhe zgjedhjet e ardhshme, me siguri se do të jenë më të organizuara dhe kjo do të çojë edhe deri te integrimi në Bashkimin Evropian”.
Kurse, Kryetarja e KQZ-së së Shqipërisë, znj. Lefterije Luzi (Lleshi) bëri të ditur se institucioni që drejton ka hedhur idenë, e cila po gjen përkrahje edhe nga spektri politik, për ngritjen e shkollës së trajnimit dhe edukimit zgjedhor. Kryetarja Luzi (Lleshi), hodhi idenë që kjo shkollë mund t’i shërbejë edhe KQZ-së së Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se, ky projekt synon që nëpërmjet moduleve të ndryshme të përfshijë një target të gjerë grupesh interesi.
Kosova dhe Shqipëria, kanë zhvilluar zgjedhjet në një përiudhë të afërt njëra me tjetrën dhe bashkëpunimi e shkëmbimi i përvojës për këto procese, është i një rëndësie të veçantë për të dyja institucionet.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE