Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kuadër të punës për përgatitjen e administrimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2015 ka filluar sesionet e trajnimit të përgjithshëm me fokus kryesor ¬“Edukimin zgjedhor të shtetasve në bazë të një kalendari i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
Qyteti i Lezhës është qyteti i parë i perzgjedhur nga KQZ për të filluar këtë rrugëtim të gjatë në të gjithë Shqipërinë.
Trajnimi u zhvillua në ambjentet e Bibliotekës Publike të qytetit dhe ne te morën pjese nënpunës të administratës së organeve të qeverisjes vendore, komisionerë nga zgjedhjet e kaluara, përfaqësues të mediave dhe të rinj.
Sesionet e trajnimit u fokusuan kryesisht në këto tema;
– Ngritja/funksionimi/detyrat e Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ);
– Ngritja/funksionimi/detyrat e Komisionit të Qendrës së Votimit (KQV);
– Njohuri të përgjithshme për procesin zgjedhor “Sistemi zgjedhor, administrata zgjedhore, institucionet e ngarkuara me detyra nga Kodi Zgjedhor, cikli zgjedhor, roli i medias”;
– “Të votosh- vlerë e demokracisë- e drejtë dhe detyrë qytetare”.Votues, komisioner apo vëzhgues i procesit zgjedhor të ardhshëm, njohuritë ligjore për të gjithë etapat dhe procedurat e procesit zgjedhor i shërbejnë rritjes së standarteve të procesit zgjedhor!
Trajnimi u ndërtua në formën e diskutimit me pyetje e përgjigje, bazuar edhe në eksperiencën e të pranishmëve në zgjedhjet e kaluara.
Në sesionin e dedikuar edukimit për votuesit e rinj, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Lefterije Luzi (Lleshi) e shoqëruar nga Anëtari, z. Klement Zguri, referoi para gjimnazistëve të qytetit të Lezhës, të cilët votojnë për herë të parë.
Kryetarja e KQZ-së vuri theksin tek rëndësia e edukimit zgjedhor të votuesve të rinj.
Zonja Luzi tha se të votosh është një e drejtë por edhe një detyrë qytetare, ndaj votuesit për herë të parë janë në fokusin e KQZ-së, për tu trajnuar mbi procesin zgjedhor pasi ata janë e ardhmja e vendit por edhe proceseve zgjedhore.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i’u përgjigj pyetjeve të të rinjve, të cilat u fokusuan në mënyrën e menaxhimit të votës së tyre nga KQZ, procedurat që ndiqen ditën e votimit, mënyra e zgjedhjes së Anëtarëve të KQZ-së, e të tjerë.
Zonja Luzi i ftoi të rinjtë që të ndërveprojnë me KQZ-në jo vetëm përmes faqes zyrtare të internetit e rrjeteve sociale por edhe duke vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë veprimtarisë së saj.
Në përfundim të trajnimit Kryetarja e KQZ-së, znj. Luzi i falenderoi Kryetarin e Bashkisë , Drejtorine Arsimore të qytetit të Lezhës që bashkëpunuan në realizimin e këtij trajnimi si dhe të votuesit për herë të parë për interesin e treguar për procesin zgjedhor.
Pyetjeve të gazetarëve, nëse është herët për zhvillimin e trajnimeve dhe nëse këto trajnime do të shmangin problematikën e përmendur edhe në raportet e OSBE-ODIHR, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, iu pergjigj se : “Nuk është herët pasi KQZ ka filluar përgatitjen e procesit zgjedhor të ardhshëm dhe detyra parësore e ketij Komisioni është edukimi zgjedhor si një nga elementët kyç për përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve.
Menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit KQZ ka zhvilluar tryeza teknike me tematika të veçanta në përfundim të të cilave KQZ ka dalë me rekomandime të cilat i janë përcjellë Kuvendit, në funksion të përmirësimit të Kodit Zgjedhor”. Kryetarja Luzi u shpreh se rekomandimet e OSBE/ODIHR janë bazë e punës së KQZ-së dhe trajnimi i vazhdueshem i target-grupeve të ndryshme do të rrisë performancën e administratës zgjedhore (KZAZ, KQV, GNV).