Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi projektvendimet:
– “Për regjistrimin si subjekt zgjedhor i Partisë “Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë”, për zgjedhjet për Kuvendin të datës 18.06.2017”.
– “Për regjistrimin si subjekt zgjedhor i Partisë “Partia e Gjelbër”, për zgjedhjet për Kuvendin të datës 18.06.2017”.
– “Për caktimin e partive politike që do të propozojnë anëtarë të KZAZ-ve, për zgjedhjet për Kuvend të datës 18 qershor 2017″.
– “Për miratimin e procedurës për hedhjen e shortit për caktimin e partisë që do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve në zgjedhjet për Kuvendin të datës 18.06.2017”.
– “Shpalljen e rezultatit të shortit për caktimin e partisë që do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve në zgjedhjet për Kuvendin të datës 18.06.2017”.
KQZ miratoi rezultatin e shortit sipas të cilit, Partia Socialiste do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër tek dhe Partia Demokratike do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër çift.
– “Për shqyrtimin e raporteve të auditëve teknicien, Andi Erebara dhe Armando Teliti”. KQZ vendosi dërgimin e raporteve të auditëve teknicien; Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Gjithashtu, KQZ vendosi shtyrjen për në mbledhjen e ditës së premte, datë 17.02.2017, në orën 12.00, projekt-vendimet:
1. “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 2, datë 29.01.2013 “Për caktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve”.
2. “Për miratimin e modeleve të dokumentacionit të kandidimit që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2017.”