Prezantohet aplikacioni “VOTO 2017” dhe linjë telefonike pa pagesë

Sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u prezantua aplikacioni i KQZ-së, “Voto 2017” dhe linja telefonike pa pagesë. Ky projekt u realizua me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe synon rritjen e transparencës së veprimtarisë së KQZ-së dhe ofron mundësinë për ta bërë më aktiv zgjedhësit në raportimin dhe denoncimin e veprimeve të kundraligjshme në procesin zgjedhor të datës 25 qershor 2017.

Në fjalën e hapjes Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri shprehu mirënjohje dhe falenderime për Këshillin e Evropës,  për mbështetjen financiare dhe asitencën teknike  që i ka dhënë KQZ-së.

Kryetari i KQZ-së, z. Zguri tha se; “Ndryshimet e Kodit Penal rritën ashpërsinë e dënimit të atyre veprave që cenojnë të drejtën e zgjedhësit për të votuar i lirë dhe në mënyrë të fshehtë, ndaj ky aplikacion është një mundësi për zgjedhësit, që të raportojnë dhe denoncojnë. KQZ do të bashkëpunojë ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme,  që çdo veprim korruptiv apo fenomen negativ që cënon standardet e procesit zgjedhor të përballet me forcën e ligjit”.

 

Nga ana e tij, Kreu i zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Claus Neukirch, nënvizoi se mbështetja për aplikacionin për smartphone është pjesë e një pakete të gjerë asistence për KQZ, e cila përfshin gjithashtu krijimin e nje linje telefoni pa pagesë, përmirësimin e faqës së internetit të KQZ, një fushatë kombëtare ndërgjegjësimi për votuesit për here të pare, asistencë për hartimin e rregullave për financimin e fushatave zgjedhore dhe monitorimin e tyre si edhe pajisjen dhe hartimin e nje strategjie për qendrën e trajnimit per KQZ. “Mbështetja e Këshillit të Europës për KQZ dhe votuesit Shqiptarë synon të ndihmojë qytetarët të ushtrojnë dhe mbrojnë të drejtën e votës”, tha Z Neukirch.

 

Aplikacioni “Voto 2017” është aplikacion pa pagesë që mund të shkarkohet nga ccdo telefon smart  dhe ka dy funksione kryesore: të informojë zgjedhësit me procesin zgjedhor dhe t’i jap mundësi atij të raportojë për fenomene të ndryshme gjatë procesit zgjedhor, veccanërisht veprimet korruptive.

Ndërkohë, linja telefonike pa pagesë për përdoruesin, 0800 0803, do të jetë në dispozicion të votuesve që të raportojnë dhe të denoncojnë korrupsionin zgjedhor.

 

Të dhënat në këtë aplikacion përpunohen dhe ruhen nga KQZ në perputhje të plotë me parashikimet e ligjit nr. 9887 datë 10.03.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, si edhe në respekt të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në veçanti garantimit të së drejtes për jetë private dhe familjare.

Vënia në dispozicion e të dhënave personale të përdoruesit (numri i telefonit për rubrikën Raportime) është i detyrueshem për verifikimin e raportimit, por është në dëshirën e ccdo individi për të dhënë vullnetarisht informacionin e kërkuar dhe për të vijuar më tej me raportimin.

Pasi informacioni i raportuar/denoncuar ka mbërritur në serverin e KQZ, kjo e fundit implementon një sistem sigurie të standarteve më të larta për ruajtjen dhe përpunimin e mëtejshem të këtyre të dhenave, në perputhje të plotë me parashikimet e ligjit “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

FJALA E KRYETARIT TË KQZ-së