Komisoni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të 21 qershorit, bën me dije se fletët e votimit të cilat do të përdoren për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, kanë mbërritur në datën 12 Qershor.
Brenda afateve kohore të përcaktuara nga KQZ, fletët e votimit u prodhuan nga kompania sllovene “Cetis”, dhe janë depozituar në Magazinat e Lundrës sipas të gjitha procedurave ligjore. Së bashku me fletët e votimit, kanë mbërritur edhe shabllonët për zgjedhësit të cilët nuk shikojnë, e që do t’i japin mundësi këtyre zgjedhësve të ushtrojnë të drejtën e votës, vetë dhe pa u asistuar nga të tjerë.
Është hera e parë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve arrin të përmbushë këtë angazhim me sukses, dhe në çdo Qendër Votimi, për të dy fletët e votimit, do të jenë të disponueshme shabllonët përkatës.
Aktualisht, Administrata e KQZ-së po punon intensivisht dhe është në fazën e përgatitjes së bazës materiale zgjedhore: kutitë me mjetet kancelarike, kutitë e votimit, kutitë e materialeve zgjedhore dhe i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për mirëadministrimin e procesit zgjedhor.
Pas përgatitjes së bazës materiale zgjedhor, do të vijohet me shpërndarjen e tyre në çdo KZAZ, e më pas në çdo Qendër Votimi.
Në funksion të rritjes së transparencës dhe besimit të subjekteve zgjedhore në procesin zgjedhor, KQZ ka implemntuar projektin e “Kamerave në Lundër”.
Ky projekt i realizuar me buxhetin e KQZ-së, mundëson vëzhgimin dhe regjistrimin e të gjithë vepprimtarisë që kryhet në magazinat e KQZ-së në Lundër. Gjithashtu ky projekt, mundëson edhe aksesin e subjekteve politike për të vëzhguar 24 orë onlinë veprimtarinë në këto ambiente ku administrohen baza materiale zgjedhore.