Kryetarja e KQZ, zj. Lefterije Luzi takon komunitetin grek në Derviçan të Gjirokastrës.

Sot, Kryetarja e KQZ, zj. Lefterije Luzi ka takuar komunitetin grek në Derviçan të Gjirokastrës.
Takimi u zhvillua në kuadër të kontakteve dhe aktiviteteve të drejtpërdrejta që Kryetarja e KQZ-së, po zhvillon në zonat e populluara me shumicë nga pakicat kombëtare, projekte të miratuara në Strategjinë e Edukimit Zgjedhor, për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit.
Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi, theksoi rëndësinë e votës, si një e drejtë e patjetërsueshme dhe individuale, e cila duhet të ushtrohet në mënyrë të fshehtë, të lirë dhe të barabartë.

Zonja Luzi tha se, “Çdo zgjedhës në datën 21 Qershor, duhet t’i drejtohet kutive të votimit, për të shprehur vullnetin e tyre përmes votës, për të vendosur të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre dhe të zgjedhin atë që ata e mendojnë si alternativën më të mirë për ta”.
Takimi u zhvillua në formë bashkëbisedimi dhe Kryetarja e KQZ-së i’u përgjigj interesit të këtij komuniteti lidhur me aspekte të ndryshme të procesit zgjedhor, për zgjedhjet vendore të 21Qershorit.
Takimet e drejtpërdrejta me zgjedhës të pakicave kombëtare kanë për qëllim informimin dhe sensibilizimin e këtyre komuniteteve mbi procesin e votimit, nëpërmjet materialeve të prodhuara nga KQZ në gjuhët respektive të pakicave, me informacionin e nevojshëm zgjedhor.
Gjithashtu, Kryetarja e KQZ-së takoi komisionerë të KZAZ-ve në Gjirokastër, ku u njoh nga afër me ecurinë e përgatitjeve të infrastrukturës, për procesin zgjedhor të datës 21 Qershor.