Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngre shqetësimin për mosrespektimin e afateve procedurale nga partitë politike për paraqitjen e propozimeve për anëtarë të Komisioneve të Qendrave të Votimit, që do të ngrihen për zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë Kolonjë.
Afati procedurial për paraqitjen e propozimeve nga partitë politike, i përcaktuar me vendimin e KQZ-së ishte data 1 nëntor, dhe në datën 6 nëntor KZAZ, pas verifikimeve për plotësimin e kritereve ligjore, duhet të kishte emëruar komisionerët e 36 qendrave të votimit.
Pavarësisht edhe njoftimeve të kryera nga KZAZ, vetëm pasditen e djeshme, datë 7 nëntor, partitë politike që bartin këtë detyrimin ligjor kanë paraqitur propozimet përkatëse pranë KZAZ nr. 73.
Në një proces të pjesshëm zgjedhor, mos respektimi i afateve proceduriale, të cilat janë të shkurtuara, sjell pengesa serioze për miradminstrimin e procesit zgjedhor nga KQZ.
KQZ i bën apel partive politike, për mospërsëritje të sjelljeve të tilla, dhe që komisionerët e emëruar, të mos ndryshohen një ditë para ditës së zgjedhjeve, apo dhe më keq ditën e zgjedhjeve.
KQZ sjell në vëmendje që afati për paraqitjen e propozimeve për anëtarë të grupeve të numërimit të votave është data 11 nëntor, dhe kërkon që partitë politike ta respektojnë atë.
Emërimi në respektim të afateve proceduriale të përcaktuara nga KQZ, i komisionerëve zgjedhorë të nivelit të tretë ndikon në trajnimin e tyre në kohë dhe sipas standarteve. Komisionerët e trajnuar janë garanci për zbatimin korrekt të procedurave ligjore gjatë ditës së votimit dhe numërimit të votave.
Faleminderit!