Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Qendrën për Perspektivë Evropiane (CEP), do të organizojë seminarin “Forcimi i pavarësisë së organeve Menaxhimi Zgjedhor; Shkëmbimi i përvojave dhe mësimeve të nxjerra në mes Shqipërisë dhe Sllovenisë”.
Ky seminar, do të zhvillohet ditën e premte, datë 14.10.2016, në orën 10.00, në ambjentet e Tirana International Hotel, në kuadër të projektit “Forcimi dhe Pavarësia e Trupave të Menaxhimit Zgjedhor –faza III”, mbështur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë.
Reforma zgjedhore në Shqipëri, ecuria dhe pritshmëritë e saj do të trajtohen në dy panele me tema: kompromisi politik për Reformën Zgjedhore dhe mënyrat për të forcuar pavarësinë e administratës zgjedhore.
Të ftuar në këtë seminar, punimet e të cilit do të moderohen nga Kryetarja e KQZ-së zj. Luzi, janë ekspertë zgjedhorë, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare që punojnë në fushën e zgjedhjeve,përfaqësuesve të partive politike, si edhe bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, z. Oerd Bylykbashi dhe z. Taulant Balla.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, dhe Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë, zj. Lea Stancic, do të përshëndesin hapjen e punimeve të këtij seminari, i cili vjen në kohën e duhur për të kontribuar në procesin e reformës zgjedhore në Shqipëri.