Verifikimi i pastërtisë së figurës së kandidatëve për deputetë, Anëtarët e KQZ takojnë Anëtarët e AIDSSH.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Denar Biba, Zv/kryetari z. Hysen Osmanaj dhe anëtarët z. Klement Zguri dhe Bledar Skënderi, pritën në një takim zj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, e cila shoqërohej nga disa Anëtarë të AIDSSH.
Qëllimi i takimit ishte mundësia e verifikimit të pastërtisë së figurës së kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 18 qershorit 2017, nga ana e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit.
Kryetarja e AIDSSH, zj. Gentiana Sulaj tha se: “Integriteti i kandidatëve duhet të kalojë edhe testin e verifikimit të pastërtisë së figurës së kandidatëve, ashtu siç verifikohen edhe në zbatim të ligjit të dekriminalizimit dhe se, partitë politike kanë një rol shumë të rëndësishëm në këtë moment për të garantuar të shkuarën “e pastër”, të kandidatëve të tyre për këto zgjedhje parlamentare”.
Kryetari i KQZ-së z. Denar Biba vlerësoi qasjen e AIDSSH për të krijuar transparencë mbi të shkuarën e kandidatëve për deputet, si faktor i lidhur ngushtë edhe me krijimin e besimit të zgjedhësve dhe opinionin publik tek ligjvënësit e ardhshëm.
Zoti Denar Biba tha se, aktualisht kuadri ligjor në fuqi nuk parashikon mundësinë e realizimit të hapave të mëtejshëm për kërkimin e një verifikimi të tillë nga ana e KQZ-së.
Komisionerët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shprehën gadishmërinë e tyre për të bërë verifikimin e pastërtisë së figurës së tyre, si një mesazh për të gjithë funksionarët që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksione publike, për të garantuar të shkuarën “e pastër”.