Deklarata e Kryetares së KQZ-së, znj. Lefterije Luzi, lidhur me Ditën Ndërkombëtare të Zgjedhjeve – 5 shkurt 2015

Në datën 05.02.2015, KQZ hap dyert për të gjithë qytetarët shqiptare që të vizitojnë ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi duam të festojmë me Ju “Global Election Day”.

Në vitin 2005, ekspertë zgjedhorë të mbledhur nga e gjithë bota në “Konferencën Botërore të Zyrtarëve Zgjedhorë”, vendosën që e enjtja e parë e muajit shkurt të çdo viti të jetë Dita Ndërkombëtare e Zgjedhjeve, si një mesazh i rëndësishëm për forcimin e proceseve demokratike në botë.

Këtë të enjte të parë të shkurtit 2015, në Ditën Ndërkombëtare të Zgjedhjeve, KQZ ju fton të gjithëve, që ashtu si në të gjithë vendet e tjera të botës, të ndajmë bashkë mendimin dhe diskutimin për rëndësinë dhe vlerën e zgjedhjeve demokratike, të konfirmojmë besimin në progresin e proceseve demokratike integruese të vendit, bazuar tek vota demokratike e çdo shtetasi!

Më 5 shkurt 2015, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Ju mirëpret të gjithëve, për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara, ku ju do të jeni protagonistë, me mendimin dhe opinionin tuaj për çfarë ne mund të bëjmë më mirë në respekt të VOTËS TUAJ!