Kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, finalistë për çmimin “Election Management Award”.
Znj. Lefterije Luzi do të marrë pjesë si e ftuar nderi e Qendrës Ndërkombëtare për Studime Parlamentare (The International Centre for Parliamentary Studies) në Simpoziumin e 9-të Ndërkombëtar të Çështjeve Zgjedhore që do të mbahet në Cape Town të Afrikës së Jugut në datat 3 deri 5 dhjetor 2014.
Ky simpozium, do të bëjë bashkë zyrtarë të lartë zgjedhorë nga vende të ndryshme të botës, akademikë dhe ekspertë nga organizmat më të rëndësishme ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve, për të ndarë eksperiencat, për të diskutuar për sfidat e menaxhimit të sukseshmën të zgjedhjeve, dhe për të forcuar marrëdhëniet mes institucioneve homologe të vendeve të ndryshme.
Simpoziumi, sikundër është në traditën e tij, do të përmbyllë punimet me ndarjen e Çmimeve Ndërkombëtare Zgjedhore (International Electoral Awards). Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Znj. Lefterije Luzi dhe KQZ, janë nominuar në tre finalistët për çmimin ndërkombëtar “Çmimi i Menaxhimit të Zgjedhjeve” (Election Management Award).
Të nominuarit për secilën nga kategoritë e çmimeve janë përzgjedhur në bazë të vlerësimeve të bëra për zgjedhjet dhe organet e menaxhimit zgjedhor.
Nominimet bazohen në përzgjedhjen e bërë nga Komiteti i Çmimeve, në përbërje të së cilit janë përfaqësues të Komisionit të Venecias, OSCE/ODHIR dhe shumë organizmave të tjerë prestigjozë ndërkombëtarë, në vlerësim të performancës së trupës zgjedhore gjatë menaxhimit të zgjedhjeve dhe rezultateve të arritura.