Kryetarja dhe Anëtarët e KQZ-së takojnë Ambasadorin e SHBA, Donald Lu.
Sot, Kryetarja zj. Lefterije Luzi dhe Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë pritur në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, SH.T.Z. Donald Lu.
Qëllimi i takimit ishte njohja e Ambasadorit me përgatitjet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën për zgjedhjet vendore, të datës 21 Qershor.
Kryetarja e KQZ-së, zj. Luzi pasi e ka falenderuar Ambasadorin për mbështetjen që ambasada dhe qeveria amerikane, i kanë dhënë KQZ-së përmes projekteve të ndryshme, në funksion të proceseve zgjedhore në Shqipëri, bëri një panoramë të vendimmarrjes së KQZ-së, projekteve të realizuara dhe punës së bërë deri tani nga Komisioni, në funksion të mirëorganizimit dhe mirëadminstrimit të procesit zgjedhor.
Nga ana e tij, Ambasadori Lu përgëzoi KQZ-në për punën e tij, për të zbatuar Kodin Zgjedhor. Ai theksoi rëndësinë e të gjitha institucioneve zgjedhore, nga KQV-të tek KQZ e deri tek Kolegji Zgjedhor, për të zbatuar ligjin në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme. Ambasadori nënvizoi rolin jetik të KQZ-së, për të ruajtur demokracinë shqiptare dhe bëri një paraqitje të mbështetjes së qeverisë së SHBA për vëzhgimin vendas dhe ndërkombëtar të zgjedhjeve.