KQZ viziton Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, në Tiranë
Në kuadrin e festave të fundvitit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi një vizitë në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë ku ndanë dhurata dhe kaluan minuta festive.
Dhuratat e shpërndara për të gjithë fëmijët e kësaj qendre nga administrata e KQZ-së në kuadër të festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri përmbanin artikuj të ndryshëm shkollor,
veshmbathje, lodra dhe aksesorë të ndryshëm. Në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” strehohen 42 fëmijë nga mosha 6-13 vjecc dhe KQZ për 10 ditë me radhë u njoh me fëmijët për të kuptuar nevojat dhe dëshirat e tyre për festat e fundvitit.
Kryetarja e KQZ-së, Znj. Lefterije Luzi (Lleshi) dhe Anëtarët dhe stafi i KQZ duke ju uruar fëmijëve Krishtëlindjen dhe Vitin e Ri, falenderuan edhe personelin e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” për kujdesin që tregon për këta fëmijë.
“Në këto ditë festash këta fëmijë kanë nevojë më shumë se kurrë për të ndjerë dashuri dhe mbështetje. Ne morëm këtë iniciativë modeste për t’i dhuruar një ditë ndryshe këtyre fëmijëve, për tju dhuruar dashuri. Shfrytëzojmë rastin për tu bërë apel të gjitha institucioneve që të mendojnë dhe për fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës jo vetëm këtu në Tiranë por dhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë, në mënyrë që në këto ditë festash ata ta ndjejnë më pak mungesën e familjeve të tyre”- tha Znj. Luzi (Lleshi).
Nga ana e saj Drejtoresha e Shtëpijës së Fëmijës “Zyber Hallulli”, Znj, Zhaneta Beqiri falenderoi KQZ-në për këtë akt dashurie ndaj fëmijëve jetim. Zonja Beqiri tha që aktiviteti i sotëm të jetë një shtysë për të gjitha institucionet, bizneset dhe familjet shqiptare që ti mbështesin këta fëmijë.
KQZ me këtë gjest modest bamirësie kishte si qëllim jo vetëm t’u dhuronte fëmijëve momente gëzimi por edhe sensibilizimin e të gjithë institucioneve apo bizneseve shqiptare për mbështetjen e këtyre fëmijëve jetimë, të cilët kanë më shumë se kushdo tjetër nevojë për ngrohtësi dhe gëzim në këto ditë festash.
KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE