Tiranë, më 24.10.2013

KQZ organizon tryezën e rrumbullakët “Ushtrimi i së drejtës së votës nga personat me aftësi të kufizuar”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me mbështetjen e Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, ka organizuar një Tryezë të Rrumbullakët për “Ushtrimin e të drejtës së votës nga personat me aftësi të kufizuar”.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin përfaqësues të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokati i Popullit, Përfaqësues të UN Woman, UNDP, USAID Albania, Këshillit të Europës, NDI, ADRF, Ambasadës Gjermane. Pjesë e kësaj tryeze të rrumbullakët ishin dhe Zv/Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Përfaqësuesi i Ministrisë së Shtetit për Çeshtjet Vendore si dhe Shoqatat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Tryeza kishte për qëllim të sjellë një debat sa më të hapur, profesional dhe teknik, duke u fokusuar në fakte dhe analiza konkrete të përgjegjësive institucionale, por edhe të angazhimit të ndërsjellët për të kontribuar në garantimin e kushteve dhe lehtësimin e personave me aftësi të kufizuar në ushtrimin e të drejtës së votës.
Të pranishmit në tryezë analizuan eksperiencën e institucioneve dhe organizatave jo-qeveritare që kanë kontribuar, monitoruar apo që përfaqësojnë grupet e interesit për personat më aftësi të kufizuar në raport me ushtrimin e të drejtës për të votuar.
Në fjalën e saj Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vuri theksin tek përgjegjësia që kanë institucionet në garantimin e kushteve për ushtrimin e të drejtës së votës nga personat me aftësi të kufizuar.
Znj. Luzi (Lleshi) tha se “Kjo nismë e KQZ-së nuk do të mbetet këtu, por ne do të përdorim të gjithë autoritetin dhe energjitë institucionale për ti dhënë udhë një bashkëpunimi ndër-institucional të vazhdueshëm i cili, duke filluar nga administrimi i procesit të ardhshëm zgjedhor duhet të kulmojë me ngritjen e një Komiteti “Ad-hoc”, me përfaqësues të të gjitha institucioneve përgjegjëse dhe grupeve të interesit – në mënyrë që zgjidhja e çdo problemi që lidhet me ushtrimin e te drejtës së votës nga çdo kategori e personave me aftësi të kufizuar dhe monitorimi në tërësi i këtij proçesi të jetë një angazhim dhe vullnet i përbashkët”.
Në përfundim të kësaj tryeze teknike të pranishmit ranë dakord se ushtimi i të drejtës së votës nga përsonat me aftësi të kufizuar është sfidë edhe për proceset e ardhshme zgjedhore, ndaj jo vetëm të KQZ, por shumë institucione të tjera qendrore dhe vendore duhet të bashkëpunojnë për të ngritur mekanizma dhe infrastrukturë ndihmëse të përhershme.
Konkluzionet dhe rekomandimet e kësaj tryeze të rrumbullakët do t’u përcillen të gjitha institucioneve të cilat kanë detyrimin ligjore për të krijuar lehtësira për Personat me Aftësi të Kufizuara në ushtrimin e të drejtës së votës.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE