Tiranë, më 09.04.2013

KQZ nënshkruan marrëveshjen me Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar marrëveshjen me Autoritetin për Mediat Audiovizive.Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga kryetarja e KQZ-së, znj. Lefterije Luzi (Lleshi) dhe Kryetarja e AMA-s, znj. Endirë Bushati.

Marrëveshja e miratuar një ditë më parë me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u nënshkrua në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është angazhimi i palëve për përcaktimin e rregullave, për shfrytëzimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të Autoritetit për Mediat Audiovizive për monitorimin e fushatës zgjedhore. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Autoriteti për Mediat Audiovizive vendos në dispozicion të Bordit të Monitorimit të Medias, studion e monitorimit me pajisjet teknike si dhe personelin teknik për monitorimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas marrëveshjes së nënshkruar ditën e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr përsipër shpenzimet financiare për pagesat e personelit që do të angazhohet në monitorim.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE