KQZ dhe Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri, nënshkruajnë kontratë bashkëpunimi.
Projekti, rrit sigurinë dhe performancën e Sistemit të Teknologjisë së Informacionit të KQZ-së.
Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 qershor.
Republika Federale e Gjermanisë po mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me pajisje teknike për të rritur sigurinë dhe përformancën e Sistemit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të KQZ-së.
Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri e falenderoi Ambasadoren Schutz për mbështetjen që qeveria gjermane po jep për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve të lira, demokratike, transparente dhe të gjithëpranuara.
“Ndodhemi vetëm dy ditë para ditës së zgjedhjeve dhe rritja e sigurisë dhe performancës së sistemit të teknologjisë, ka një rëndësi të veçantë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe pajisjet që merr KQZ nga projekti me Ambasadën Gjermane, ndihmojnë pikërisht për kët, rritjen e sigurisë dhe performancës gjatë transmetimit të rezultatave paraprake”, tha Kryetari i KQZ-së, z. Klement Zguri.
“Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është një test i rëndësishëm dhe një gur
kilometrik në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE”, u shpreh Ambasadorja
Schütz.
“Për ne është kënaqësi të mund të mbështesim Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
me pajisje teknike, për të garantuar vijimësinë pa probleme të procesit zgjedhor dhe –
përtej vëzhgimit të këtij procesi nga OSBE/ODIHR – një mbikqyrje të kujdesshme
teknike të dhënies së votës dhe numërimit të saj”, citohet Ambasdorja Schütz.
Më tej Kryetari i KQZ-së, Zguri dhe Ambasadorja Schütz u bënë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të marrin pjesë në zgjedhje.
Krahas kësaj, Qeveria Federale Gjermane ndjek me shumë vëmendje procesin zgjedhor dhe mbështet misionin e vëzhgimit të OSBE/ODIHR me 2 vëzhgues afatgjatë dhe 32 afatshkurtër.