Konferencë Zgjedhore me temë, “Vëzhgimi i numërimit të votave nga vëzhguesit vendorë. Kuadri ligjor aktual dhe praktikat më të mira për zbatimin e tij.

Sot u zhvillua Konferenca “Vëzhgimi vendor i numërimit të votave. Kuadri ligjor ekzistues dhe praktikat më të mira për zbatimit e tij”.

Kjo konferencë u organizua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe u trajtuan problematikat e  hasura nga vëzhguesit e shoqërisë civile përsa i përket monitorimit të procesit të numërimit të votave.

Fjala e plotë e  Kryetarit të KQZ-së, z. Klement Zguri.

I nderuar Ambasador Borchard,

Të nderuar pjesëmarrës,

Përfitoj nga rasti të falenderoj Prezencën e OSBE-së, një ndër partnerët kryesorë të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, që edhe me organizimin  e kësaj Konference dëshmon angazhimin dhe  kontributin në vijimësi për rritjen e standarteve të procesit zgjedhor në Shqipëri!

Komisioni Qendror  i Zgjedhjeve, institucioni përgjegjës për organizminin dhe administrimin e zgjedhjeve, suksesin  e punës së tij nuk e shikon vetëm tek performanca e trupës  dhe e administratës zgjedhore të të gjithë niveleve, por edhe tek roli i të gjithë aktorëve në proces:  votuesve, partive politike, mediave dhe padyshim  tek shoqëria  civile, sinergjitë e të cilëve rrisin standartet e procesit, duke i shërbyer forcimit të demokracisë dhe proceseve integruese të vendit.

Zgjedhjet për Kuvendin të datës  25 qershor 2017, ashtu si proceset zgjedhore pararendëse, do të vëzhgohen nga  një numër i madh vëzhguesish vendorë, angazhimi i të cilëve është tregues i qartë për rritjen e ndërgjegjes qytetare.

Misioni i vëzhguesit të zgjedhjeve është një shërbim i vyer qytetar për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare, të cilës të gjithë aktorët i detyrohen për t’i garantuar një proces të qetë, të rregullt, ku votuesi dhe vota e lirë, e fshehtë dhe e drejtpërdrejtë, janë më të rëndësishëm se rezultatet e partive politike! 

Numërimi i votave është një nga momentet kyçe të një procesi zgjedhor.  Politizimi i aspekteve teknike gjatë numërimit të votave dhe miratimit të tabelave të rezultateve, janë faktorët kryesorë që vonojnë nxjerrjen e rezultatit.

Leximi i drejtë dhe në transparencë të plotë i çdo vullneti të shprehur me votë, nxjerrja e rezultateve të zgjedhjeve nga KZAZ-ja  jo më vonë se ora 22.00 e ditës së nesërme të votimit, është përgjegjësi e numëruesve dhe komisionerëve të nivelit të dytë, po aq sa edhe partive politike dhe e vëzhguesve të tyre, të cilët duhet të tregojnë maturi dhe të mos abuzojnë me të drejtat e tyre ligjore.

Në vlerësim të rolit të rëndësishëm të vëzhguesve për transparencën e nxjerrjes së rezultateve, ODHIR në raportet e vëzhgimit të vitit 2013, dhe 2015, ka rekomanduar që të gjithë vëzhguesit e akredituar duhet të kenë akses të barabartë për kopjet e tabelave të rezultateve të QV-së dhe të ZAZ-së.

Këto rekomandime ende nuk janë reflektuar në Kodin Zgjedhor, i cili të drejtën e kontestimit apo marrjen e kopjeve të tabelave të rezultateve, ja njeh vetëm vëzhguesve të subjekteve zgjedhore.

Për shkak edhe të eksperiencës disavjeçare në KQZ, personalisht gjykoj se raportet dhe gjetjet e vëzhguesve vendorë të shoqërisë civile, me gjykimin e tyre të drejtë, të paanshëm dhe profesional, janë “diagnostikuesit” e problematikave të procesit zgjedhor.

Pas dy javësh shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit!

I bëj apel të gjithë aktorëve dhe faktorëve që kanë rol në administrimin e procesit zgjedhor, veçanërisht në numërimin e votave, të tregojnë përgjegjshmëri maksimale për të garantuar integritetin e këtij procesi,  dhe përfundimin e tij brenda afateve ligjore!

 

Votuesit tregojnë përgjegjshmëri duke marrë pjesë në votime! I detyrohemi, për të lexuar drejt dhe në kohë vullnetin e tyre!

Faleminderit!