Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi takimin e radhës me pjesëmarrësit e komunitetit egjiptian dhe rom, në zbatim të Strategjisë së Edukimit Zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të 21 qershorit 2015.
Duke njohur edhe problematikat që bart ky komunitet, fokusi kryesor i KQZ, edhe gjatë këtij sesioni, ishte informimi i këtij komuniteti për rëndësinë e votës dhe rëndësinë që duhet t’i japin ata ditës së votimit, dokumentet e nevojshme për të votuar, verifikimi i emrit në listën e zgjedhësve, procedurat që ndjek votuesi në qendrën e votimit, etj.
Gjithashtu, në takim iu bë apel të gjithë pjesëmarrësve, të marrin pjesë në votime dhe të ushtrojnë të drejtën e votës, në mënyrë individuale, të fshehtë dhe të pandikuar nga të tjerë dhe të mos bien pre e shitblerjes së votës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në fund të takimit shpërndau fletëpalosje dhe postera të prodhuara në gjuhën e tyre si dhe materiale të tjera sensibilizuese, bluza dhe kapele me logon e KQZ-së.