Zgjedhjet në Dibër, Kryetarja e KQZ-së takim me gratë e Peshkopisë dhe Maqellarës.
Luzi: Gratë e ndërgjegjegjësura për fuqinë e votës së tyre, barrierë për fenomenin negativ të “votimit familjar”.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi ka zhvilluar takime me gratë e Peshkopisë dhe të Maqellarës në Bashkinë Dibër. Takimet u zhvilluan në kuadër të sesioneve të edukimit “Barazia gjinore në procesin zgjedhor– liria e votës dhe votimi familjar“, që KQZ po zhvillon në Bashkinë e Dibrës në bashkëpunim me OSBE.
Sesionet e edukimit po zhvillohen në kuadër të zgjedhjeve të pjesshmë për kryetar të Bashkisë Dibër, që do të mbahën në datën 11 shator dhe kanë për qëllim informimin dhe sensibilizimin e të gjithë zgjedhësve, me fokus të veçantë gratë votuese.
Të dhënat që KQZ disponon për pjesëmarrjen gjinore në votime, të mundësuara nga ndryshimet e Kodit Zgjedhor të vitit 2015, treguan që rreth 40% e votueseve nuk e kishin ushtruar të drejtën e votës, duke shërbyer si indikator që fushata edukuese e KQZ-së për keto zgjedhje të pjesshme, duhet të fokusohet tëk gratë.
Kryetarja e KQZ-së zj. Luzi duke vlerësuar rëndësinë e ditës e zgjedhjeve për kandidatët të cilët po zhvillojnë fushat e tyre, por mbi të gjitha për votuesit, ju bëri apel grave të Peshkopisë dhe Maqellarës që në 11 shtator, t’i drejtohen kutive të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë të lirë, të fshehtë dhe të pandikuar.
Takimet u zhvilluan në formë bashkëbisedimi dhe Kryetarja e KQZ-së, u fokusua në barazinë gjinore në procesin zgjedhor, si forma më domethënese për përfshirjen e gruas në vendimmarrje.
Zonja Luzi tha se: “Gratë e ndërgjegjegjësura për fuqinë e votës së tyre, të cilat votojnë në mënyrë të lirë dhe të pandikuar nga mendimi i familjarëve të tyre, rrisin rolin e gruas në vendimarrje, bëhen barrierë për fenomenin negativ të “votimit familjar”, i cili për fat të keq vijon të shfaqet duke dhunuar të drejtat e grave, dhe duke u bërë shkas për cënimin e standarteve të procesit zgjedhor”.
Kryetarja e KQZ-së vlerësoi së përmirësimet e ligjit zgjedhor, e kanë fuqizuar rolin e gruas në kandidim dhe në angazhimin si komisionere, pasi falë kuotave gjinore të përmirësuara, por edhe ndërgjegjësimit shoqëror, sot ka më shumë deputete në Kuvend, më shumë Kryetare të Bashkive, më shumë anëtare të këshillave bashkiakë, më shumë komisionere të KZAZ-ve. Sipas saj, mbetet ende për t’u bërë, dhe solli në vëmendjë mungesën e kuotës gjinore për komisionet e Qendrave të Votimit, mungesë e cila bën që në zgjedhjet e 11 shtatorit, nga 826 komisionerë të KQV-ve, vetëm 14 prej tyre janë gra.
Kryetarja Luzi theksoi së përfshirja më e madhe e grave në procesin zgjedhor, padyshim do të ndikonte edhe në qetësimin e klimës zgjedhore.
Luzi: “Unë besoj, se forcat politike që garojnë për këto zgjedhje, kanë maturimin dhe përvojën disa vjeçare për të ndikuar me sjelljen e tyre në klimën e përgjithshme pragzgjedhore, klimë e cila duhet të karakterizohet nga qytetaria dhe vlerat demokratike, për të forcuar besimin e votuesve dibranë tek procesi zgjedhor!”.
Eksperiencat personale të sjella nga gratë votuese të fshatrave, të aktivisteve të shoqërisë civile, të komisionereve të angazhuara në proceset zgjedhore, të votuesve për herë të parë, krijuan një platformë të gjerë diskutimi mbi aspektet e ndryshme të procesit zgjedhor në Bashkinë Dibër.
Gjithashtu, Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi zhvilloi takim pune edhe me Anëtarët e KZAZ-së, nr.19 në Dibër, ku bashkëbisedua për ecurinë e administrimit të procesit të zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Dibër. Zonja Luzi duke i përgëzuar për punën korrekte të deritanishme, i siguroi anëtarët e KZAZ-së, se KQZ do t’i mbështëse dhe do t’u japë asistencë deri në përfundim të procesit.
Në datën 2 shtator, në takimin me gratë e njësisë administrative Muhurr vijuan me Administratën e KQZ-së dhe përfaqësues të Prezencës së OSBE-së.
Në këto takime u shpërndanë materiale informuese për procesin të përgatitura nga KQZ, edhe në gjuhën maqedonase.