Deklarata e Kryetarit të KQZ-së, z. Klement Zguri.

Listat e zgjedhësve janë parakushti që zgjedhësit shqiptarë të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Saktësia dhe korrektësia e listave janë preokupim i dorës së parë për KQZ-në. Për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, procesi i saktësimit dhe korrigjimit të listave ka filluar.

Përgjegjësinë ligjore per këtë proces e kanë zyrat e gjendjes civile, ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka detyra mbikqyrëse.

Ky proces nuk del dot mirë nëse zgjedhësit nuk shfaqin vëmendje dhe nuk tregohen aktivë. Qëllimi i kësaj dalje publike në emër të KQZ-së është pikërisht ky: të kërkojë vëmendjen e zgjedhësve, të bëjë thirrje për aktivizimin e tyre.

Deri tani Zyrat e Gjendjes Civile kanë printuar dhe publikuar listat me të dhënat paraprake për çdo zgjedhës.

Ne u bëjmë thirrje dhe një herë zgjedhësve që të kontrollojnë emrin e tyre në listën elektronike të zgjedhësve të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Deri më datë 21 maj 2019 është e hapur mundësia për t’iu drejtuar Zyrave të Gjendjes Civile ku kanë të regjistruar vendbanimin e tyre për të plotësuar apo saktësuar të dhënat e listës.

Pas kësaj date listat bëhen përfundimtare.

Zgjedhësit që nuk e kanë emrin në listë mund të votojnë vetëm me vendim gjykate.

Në proceset e mëparshme zgjedhore jo vetëm vëzhguesit por edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konstatuar se në disa bashki të vendit është përhapur fenomeni i transferimit artificial të vendbanimit të mbështetësve të atyre që kandidojnë për kryetarë të bashkive, me qëllim ndikimin e paligjshëm mbi rezultatin e votimit, nëpërmjet votave të këtyre votuesve artificialë.

Ndryshimi artificial i vendbanimit përbën shpërdorim të pastër detyre, por ka pasoja të rënda edhe mbi sistemin demokratik, sepse cënon rëndë raportin e zgjedhësve me pushtetin e zgjedhur, si atje ku votojnë zgjedhësit e zhvendosur artificialisht, ashtu dhe atje ku ata fshihen padrejtësisht nga lista.

Ky fenomen i kundraligjshëm lë gjurmë, ndaj është i verifikueshëm dhe i provueshem lehtësisht. Zgjedhësit e zhvendosur artificialisht regjistrohen masivisht në adresa artificiale. Është e lehtë të konstatohet se kur në një apartament figurojnë 10, 20 apo 30 familje, atëherë në këtë bashki, kryetari i bashkisë dhe përgjegjësi i zyrës së gjendjes civile kanë organizuar, në bashkëpunim, zhvendosjen artificiale të vendbanimit të zgjedhësve, kanë kryer shpërdorim detyre.

Auditët e emëruar nga KQZ që mbikëqyrin listat e zgjedhësve do të merren posaçërisht me investigimin e këtij fenomeni.

KQZ-ja do të kallëzojë penalisht kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile, kurdoherë që të vihet përballë këtyre fakteve, sapo që ato të konstatohen dhe pa pritur përfundimin e procesit zgjedhor.

Prandaj po bëjmë këtë paralajmërim publik, me qëllim që të mos ketë kryetarë bashkish që tentojnë për të bërë këtë formë manipulimi.

Përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile të marrin masa e të kontrollojnë të gjitha aplikimet që u vijnë për ndryshim vendbanimi në këtë periudhë dhe zgjedhësit, të cilëve u kërkohet të bëhen pjesë e skemave të tilla të manipulimit, të refuzojnë bashkëpunimin në krim.

Midis KQZ-së, mazhorancës dhe opozitës nuk ka asnjë konflikt në trajtimin e këtij fenomeni. Ai është kundërligjshmëri që autorët e bëjnë në konflikt të pastër interesi dhe në dëm flagrant të zgjedhjeve.

Ndaj unë ftoj dhe lidershipin e mazhorancës dhe atë të opozitës të deklarohen publiksht kundër, me qëllim që t’i heqin çdo mbështetje politike fenomenit.

Zgjedhjet e datës 30 qershor janë ushtrim shumë i rëndësishëm demokracie, por këtë radhë ato janë më shumë se kaq, janë gur prove për Shqipërinë në procesin e vet të integrimit në Bashkimin Evropian.

Kujdesi i të gjithëve për listat e zgjedhësve, secili sipas rolit dhe funksionit, është vetëm hapi i parë, por shumë i rëndësishëm në këtë proces.

Faleminderit!