Deklaratë e KQZ-së, lidhur me procesin zgjedhor të datës 30 qershor 2019.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon opinionin publik se në zbatim të Kodit Zgjedhor, kur na ndajnë vetëm dy ditë nga dita e zgjedhjeve, po punon intensivisht për të shmangur çdo problematikë që mund të cënojë rregullin dhe funksionimin e punës së administratës zgjedhore, ditën e votimit dhe gjatë numërimit të votave.
Sikundër opinioni publik është informuar nga mbledhjet live të KQZ_së dhe nga media, edhe në ato raste kur objektet zgjedhore dhe materialet zgjedhore janë dëmtuar, KQZ ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për të siguruar që infrasturktura zgjedhore të jetë e në dispozicion të administratës zgjedhore, në mënyrë që ditën e votimit, datë 30 qershor 2019, të gjithë qytetarët t’i drejtohen Qendrave të Votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.
Sa më sipër, për dëmtimin pothuajse total të materialeve zgjedhore në KZAZ-në nr. 6, Bashkia Vau Dejës, Qarku Shkodër, KQZ ka marrë masat dhe do të pajisë KZAZ-në nr. 6 me të gjithë materialet zgjedhore, përfshirë këtu edhe fletët e votimit, për të zhvilluar procesin zgjedhor në datë 30 qershor, edhe në këtë bashki.
Pvarësisht ngarkesës së shtuar për shkak të problematikës së njohur nga publiku, KQZ ka vijuar si në çdo proces zgjedhor me veprimtaritë për aftësimin dhe rritjen profesionale të komisionerëve të qendrave të votimit, të cilët në këtë proces kanë në përbërjn e tyre edhe shtetas të emëruar kryesisht, nga KZAZ-të, mbi bazën e vullnetit të shprehur prej tyre për tu angazhuar në administrimin e procesit zgjedhor, të datës 30 qershor 2019.
Duke qenë se zbatimi i kalendarit të trajnimit të KQV-ve u vështirësua për shkak të refuzimit të disa bashkive për të vënë në dispozicion ambjentet e shkollave, trajnerët e KQZ-së, do të jenë të gatshëm të ofrojnë në vijimësi trajnim, me qëllim që çdo komisioner të jetë i aftësuar për ta ushtruar detyrën e tij në mënyrë profesionale.