Kryetarja e KQZ-së, zj. Lefterije Luzi e ftuar nderi në Konferencën “Procesi Elektoral në Kosovë”
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zj. Lefterije Luzi me ftesë të Prezencës së OSBE-së në Kosovë mori pjesë në Konferencën “Procesi Elektoral në Kosovë”, që u mbajt në Prishtinë.
Në këtë konferencë u bënë së bashku Trupat Zgjedhorë të rajonit, përfaqësues të partive politike dhe të amabasadave rezidente në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe organizatave vendase dhe ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, ishte e ftuar nderi e Konferencës, në të cilën zj. Lefterije Luzi prezantoi eksperiencën shqiptare lidhur me rolin e partive politike në procesin zgjedhor jo vetëm si hartues të Kodit Zgjedhor, por edhe si zbatues të tij në funksion të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Konferenca kishte si qëllim ofrimin e mundësive për partitë politike dhe organet zgjedhore për shkëmbimin e eksperiencave të tyre.
Gjatë konferencës u prezantua një përmbledhje e raporteve të fundit të vezhguesve për zgjedhjet e fundit dhe diskutimet e të pranishmëve u fokusuan në rolin e partive politike në zgjedhje dhe dialogu mes partive politike me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në përfundim të punimeve, konferenca doli me rekomandime për procesin e ardhshëm zgjedhor në Kosovë.