Komisoneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi priti në takim përfaqësues të shoqërisë civile, zj. Megi Reçi, Koordinatore e projektit Civil Rights Defenders (CRD) zyra e Shqipërisë, z. Afrim Krasniqi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike (ISP) dhe zj. Erida Skendaj, Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH).
Mbështetja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për projektin “Unë marr Pjesë! Zëri im. Vota ime Vlen!”, ishte fokusi i takimit. Ky projekt do të zbatohet për zgjedhjet parlamentare 2021, nga tre organizatat e shoqërisë civile CRD, ISP dhe KSHH, dhe synon të fuqizojë qytetarët dhe shoqërinë civile që të angazhohen, të promovojnë, të advokojnë dhe monitorojnë proceset demokratike. Projekti synon gjithashtu krijimin e një aplikacioni celular (mobile app), që do të shërbejë si një platformë informuese për qytetarët por edhe si mundësi që ata të raportojnë parregullsi/shkelje në lidhje me procesin zgjedhor.
Zoti Celibashi u shpreh se do të intensifikohen marrëdhëniet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore. Shoqëria Civile është partner i rëndësishëm i KQZ-së, ndaj në të ardhmen synohet institucionalizimi i këtij bashkëpunimi.
Komisioneri konfirmoi angazhimin e tij, për të ofruar transparencë maksimale të veprimtarisë së KQZ-së dhe për të punuar ngushtësisht pa asnjë lloj kufzimi me aktorët e shoqërisë civile të përfshirë në procesin zgjedhor.