Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj për propozimet për anëtarë të KZAZ-ve.
Data 18 Mars shënon afatin përfundimtar për depozitimin e propozimeve për Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të). Deri tani asnjë nga partitë politike që e gëzojnë këtë të drejtë, nuk ka sjellë pranë KQZ-së propozime për komisionerë të nivelit të dytë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel partive politike që kanë të drejtën të propozojnë anëtarë të KZAZ-ve që të respektojnë afatin ligjor për depozitimin e kandidaturave në KQZ.
KQZ këkon që partitë politike të mos neglizhojnë respektimin e afateve ligjore për paraqitjen e propozimeve për administratën zgjedhore, sikundër ka ndodhur në çdo proces zgjedhor. Mos respektimi i afatit ligjor tregon mungesë përgjegjshmërie në përmbushjen e detyrimeve që ju ngarkon Kodi Zgjedhor.
KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, ndaj kërkon që partitë politike të depozitojnë urgjent propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-ve, brenda ditës së sotme dhe të mos bëhen shkak për cënimin e administrimit të procesit zgjedhor.
Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve.