KQZ-NDI takim konsultativ mbi hartimin e akteve nënligjore
Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me mbështetjen e Institutit Demokratik Amerikan (NDI) dhe Ambasadën Britanike në Tiranë, zhvilloi takim konsultativ me ekspertët financiarë të partive politike dhe shoqërinë civile.
Qëllim i takimit ishtë njohja me mendimet dhe këndvështrimet e ekspertëve financiarë dhe shoqërisë civile, lidhur me aktet nënligjore që do të rregullojnë kuadrin ligjor për rolin mbikëqyrës që KQZ-ja do të luajë në zgjedhjet vendore të vitit 2019 dhe në financimin vjetor të partive politike.
Mbështetur në përvojën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, KQZ-ja po shqyrton këto akte nënligjore për të parë nëse ato e përmbushin qëllimin e tyre.
Administrata ka hartuar dhe një projekt-akt të ri nënligjor, i cili përcakton mënyrën se si KQZ-ja do të kontrollojë dhe do të verifikojë financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Gjithashtu, ky akt adreson mënyrën se si KQZ-ja trajton çështjet e sjella në vëmendjen e saj nga palët e treta dhe faktorët që ajo merr në konsideratë në vendosjen e sanksioneve për rastet e shkeljeve të ligjit. Pasi të përfundojë shqyrtimi i projekt-akteve, do të punohet për përgatitjen e materialeve burimore (manuale, lista kontrolli, formate të standardizuara, etj.) për t’u ardhur në ndihmë atyre që duhet të zbatojnë ose atyre që duhet të ndihmojnë në monitorimin e respektimit të ligjit.
KQZ falenderon përfaqësuesit e KRIIK Albania, Mjaft dhe financierët e partive politike, të cilët dhanë ide dhe sugjerime për përmirësime në aktet nënligjore.